Transmetuar më 24-07-2017, 18:00

Një vajzë 18 vjeç është arrestuar nga policia pasi përplasi makinën që po ngiste duke lënë të vdekur motrën e saj më të vogël 14 vjeçe, një episod tragjik që ajo po e transmetonte "live" në Instagram.

Obdulia Sanchez nga Stocton ishte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur dhe videoja në këtë rrjet social tregon se si 18 vjeçarja fliste gjatë gjithë kohës me kamerën edhe pas aksidentit ku minorenia qëndronte në rrugë e pa jetë.

Nga pamjet kuptohet që makina doli nga rruga u përplas me një gardh dhe përfundoi në fushë të hapur. Një vajzë tjetër prezente në makinë doli nga mjeti dhe nisi të kërkonte ndihmë, ndërkohë që Obdulia Sanchez thoshte duke parë nga kamera:

"Jacqueline, të lutem zgjohu. Vrava motrën time, Ok? E di që unë do të burgosem për gjithë jetën. E dua motrën time… kjo është gjëja e fundit që mendova se do të ndodhte me ne. Kam vrarë motrën time, por s’më plas fare.

Kam vrarë motrën time. E di që po shkoj në burg, por nuk më intereson. Më fal zemër. Do mundohem ta kaloj. Dreqi ta hajë, më vjen keq, zgjohu zemër. Nuk doja të të vrisja shpirt".

Obdulia kishte mbi 7 mijë ndjekës në Instagram. Policia është duke analizuar pamjet, ndërsa 18 vjeçarja ndodhet momentalisht në paraburgim.