Transmetuar më 24-07-2017, 17:44

Vazhdon përplasja mes ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Plarent Ndreca.

Ministrja ka bërë një tjetër kallëzim penal për Ndrecën, duke e akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi sipas saj, Ndreca ka nënshkruar një kontratë në kundërshtim me ligjin, në emër të Ministrisë së Arsimit.

Sipas deklaratës së ministrisë teknike të PD-së, Ndreca ka firmosur si Titullar i Autoritetit Kontraktor një kontratë me një operator ekonomik me objekt: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës “Mësuesi”’, me fond limit Tetë milion e gjashtëqind mijë lekë pa TVSH.

Firmosja e kësaj kontrate, sipas ministres Karabina, është abuzim dhe shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Buxhetin e Shtetit.

Nga ana e tij Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit i është përgjigjur deklaratave të Ministres teknike Karabina e cila e akuzoi për abuzim duke e kallëzuar penalisht për tenderin e dëftesave.

Ndreca i kujton ministres së PD, largimin, duke u shprehur se kontrata për blerjen e dëftesave është firmosur prej tij edhe para ardhjes së Karabinës dhe do të firmoset edhe pas ikjes së saj. Për Ndrecën, blerja e dëftesave shkollore ishte një emergjencë për vijimin normal të mbylljes së vitit shkollor.

Deklarata e plotë e Ndrecaj:

Zj. Karabina, vijon të japë informacione të pa vërteta për publikun. Sekretari i Përgjithshëm ka firmosur kontratë për blerjen e dëftesave shkollore, siç ka bërë edhe përpara ardhjes së zj. Karabina në detyrë, siç do të bëj edhe pas ikjes së zj. Karabina nga kjo detyrë.

Blerja e dëftesave shkollore ishte një emergjencë për vijimin normal të mbylljes së vitit shkollor (Shqetësim i ngritur ky edhe nga media. Ndërkohë që një nga të ashtuquajturit këshilltar të ministres, krijonin panik për mungesën e dëftesave) e për këtë arsye i kam kërkuar në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Kryeministrit të Shqipërisë, miratimin e përfundimit të procedurës së prokurimit, ashtu siç e parashikon VKM nr. 472, dt. 05.07.2017. Pas miratimit të marrë nga Kryeministria, është vijuar me lidhjen e kontratës me subjektin fitues. Bashkëlidhur aktet përkatëse.

Edhe në këtë rast zj. Karabina ka treguar aftësinë e saj të jashtëzakonshme të mashtrimit të opinionit publik në mënyrë të palodhshme. E ka kthyer gënjeshtrën në një instrument me anë të të cilës, po përpiqet të drejtoj ministrinë e dijes. Ministrja Karabina vijon serinë e bërjes së kallëzimeve penale, si mjet me anë të cilit, mendon se do intimidoj administratën publike dhe posaçërisht SP e MAS.

Zj. Karabina nuk duhej të ishte nxituar. Në MAS është kontrolli i kryeministrisë dhe përpara se të bënte kallëzim penal, duhet t’ja parashtronte shkeljet a aluduara grupit të kontrollit administrativ të Kryeministrisë. Por me sa duket një gjë të tillë zj. Karabina nuk e bën, pasi nuk ka për qëllim verifikimin serioz të së vërtetës, por intimidimin, linçimin dhe njollosjen publike të administratorëve të lartë të shtetit. Shteti nuk drejtohet me fletë rrufe, me deklarata për shtyp, mllefe apo pasione individuale, por bazuar vetëm në kushtetutë dhe ligj.

E ftoj zj. Karabina të marrë mundimin, të ulet dhe të lexoj ndonjëherë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, mbi të cilën është betuar. Pasi mos leximi apo mos zbatimi i saj, e garantoj që do i sjellë pasoja të rënda ligjore. Asnjë marrëveshje politike nuk mund ti krijoj imunitet dikujt që shkel sistematikisht kushtetutën dhe ligjin. Asnjë procedurë e ndërlikuar presidenciale apo parlamentare nuk mund ti krijoj imunitet një dhunuesi të institucionit, një përdhosësi si askush më parë të figurës së lartë të ministrit të shtetit shqiptar. Një gjë është pak, por e sigurt, herët apo vonë, kjo kategori zyrtarësh do jap llogari përpara drejtësisë.