Transmetuar më 24-07-2017, 17:33

Një ngjarje e frikshme ishte ajo që ndodhi dje në një qytet të Zvicrës, ku njerëzit e rastësishëm janë terrorizuar pasi u sulmuan me sharrë elektrike.

Ngjarja ndodhi në Schaffhausen paraditen e së hënës, në qendër të qytetit dhe u raportua për pesë të plagosur, ku së paku dy prej tyre kanë marrë plagë të rënda.

Zëdhënësja e policisë së Schaffhausenit tha për mediat vendase se nuk bëhet fjalë për sulm terrorist.

Një person u pa të lëvizte me sharrë motorike në duar dhe po kërcënonte e sulmonte njerëzit.

Pamjet e frikshme që tregojnë dëshmitarët, sugjerojnë se si autori, i armatosur me motosharrën kishte hyrë në zyrën e filialit të Kompanisë së Sigurimeve Shëndetësore CSS.

Policia e Schaffhausenit ka publikuar fotografitë e personit të dyshuar për sulmin e bërë sot, në orët e mëngjesit në qytetin e vjetër.

Ai sulmoi me sharrën e tij dy nëpunës të cilët kanë pësuar plagë të rënda dhe janë dërguar në spital.

Më tej plagosi edhe tre të tjerë.

Përkundër ndjekjes dhe bllokimit të bërë nga policia të një zone të gjerë të qytetit, personi agresori vazhdon të jetë i arratisur.

Ndërkohë është gjetur një makinë VW Cady e bardhë me të cilën konsiderohet se ka mbërritur në vendngjarje autori dhe më pas është arratisur pa mjetin e tij. Policia lokale thotë se autori konsiderohet ende i rrezikshëm pasi gjendet në arrati.

Kërkimet me helikopter dhe me mobilizim të madh policësh janë duke vazhduar në qytet dhe rrethinë, tha kryetari i bashkisë së Schafhausenn, Peter Neukomm.