Transmetuar më 24-07-2017, 11:55

Investimet që bashkia e Tiranës po kryen në Ujësjellës-Kanalizime, do të bëjnë të mundur që në 5 vitet e ardhshme, kryeqyteti të ketë ujë 24 orë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se rregullimi i çmimit të ujit me 20 lekë për konsumatorët familjarë do rrisë financat e UKT-së, për t’i hapur rrugë investimeve të mëdha e të nevojshme për t’u siguruar që pas 5 vitesh qytetarët të kenë 24 orë ujë në rubinet.

“Me rregullimin që do të bëjmë, ku uji në Tiranë të paktën të paguhet sa në Bathore, për t’u siguruar që kemi investime dhe të vazhdojmë me këtë cilësi, atëherë do të kapim fatin e Korçës, ku Korça ka sot ujë 24 orë. Do ta kapim ujin 24 orë në Tiranë në 5 vitet e ardhshme”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, teksa përuroi rrugën e re “Dalip Topi” në Njësinë Administrative Nr. 3.

Duke u ndalur te investimi i Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e Rr. “Dalip Topi”, Veliaj deklaroi se është punuar maksimalisht gjatë këtyre ditëve të verës për përfundimin e punimeve para afatit. /k.k/noa.al/