Transmetuar më 24-07-2017, 10:39

Goditet një rast trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike në portin e Durrësit, duke sekuestruar 4.6 kilogramë përzierje lënde narkotike në gjendje të lëngët.

Mbrëmjen e djeshme, e diel, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative është bërë arrestimi i 28-vjeçarit Pashk Kola, banues në Lezhë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në mjetin furgon tip “Fiat”, me targa AA 246 PU, me drejtues Pashk Kolën, pas një analize të hollësishme risku dhe verifikimeve të tjera dhe skanimit që i’u bë mjetit, në pjesën e përparme të tij, tek dera e shoferit u gjet lëndë narkotike.

Gjatë peshimit rezultoi 4.6 kg përzierje me lëndë narkotike e dyshuar e llojit marjuanë, në gjendje të lëngët, e cila do trafikohej drejt Italisë.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Ndërkohë materialet i’u referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. /a.y/noa.al