Transmetuar më 24-07-2017, 10:12

Një i ri nga Fieri, është vënë në prangat e policisë, nën akuzën e vjedhjes së një shume të konsiderueshme parash, në shtëpinë e shokut të tij.

Grei Merko, 20 vjeç, banues në lagjen “Mbrostar Ferko”, Fier u arrestua ditën e djeshme, e diel, si autor i dyshuar i vjedhjes së 40 milionë lekëve të vjetra.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhje”.

Merko ishte shpallur në kërkim pasi më 20 maj, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të cilët janë ndaluar më parë nga policia, kanë vjedhur shumën prej 40 milionë lekësh në banesën e shtetasit D.L., 48 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti”, Fier.

Krahas tij janë arrestuar dhe Aris Zhavari, 22 vjeç dhe 15- vjeçari S.K.

Ata akuzohen se kanë vjedhur shumën e parave në banesën e 48- vjetarit pasi kishin bërë planin së bashku.

Mësohet se të rinjtë kishin informacion se i dëmtuari mbante shumën e parave në banesë, dhe kanë gjetur momentin për t’u hedhur në sulm. Gjithçka pasi i kanë kërkuar djalit të të dëmtuarit i cili ishte biznesmen, të luanin PlayStation në shtëpinë e tij.

Teksa njëri nga tre shokët ka qëndruar me djalin e 48- vjeçarit, dy të tjerët kanë bërë vjedhjen.

Hetimet ndaj të dyshuarve janë ende në vijim, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Vodhi 40 milionë lekë në një banesë në Fier, kapet i dyshuari