Transmetuar më 24-07-2017, 09:00

Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Exchange” ka vënë në pranga burrë e grua, të shpallur në kërkim, të cilëve u janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash në euro dhe valutë.

Nën akuzën e veprës penale “Mashtrim i kryer në bashkëpunim”, pasditen e së dielës u bë arrestimi i Alfred Alkut, 36 vjeç dhe Ornela Alkut, 32 vjeçe, banues në Tiranë, burrë dhe grua.

Ndalimi i tyre, u bë pasi kanë qenë të shpallur në kërkim nga seksioni i hetimit të krimit ekonomik dhe financiar, pasi në bashkëpunim me njëri- tjetrin, iu kanë marrë shtetasve të ndryshëm shuma të konsiderueshme parash në euro dhe valutë, me vlerë 430 mijë euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 773.400 lekë të reja, 450 euro, 100 dollarë dhe 350 paund.

Më konkretisht Noa.al mëson se bashkëshortët Alku, kishin mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash, të cilat u premtonin se do ua kthenin me interes më të lartë, por prej kohësh kishin humbur çdo gjurmë dhe nuk kishin shlyer asnjë detyrim.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijimësi, ndërkohë që për ndjekje të mëtejshme i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Mashtrim i kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al