Transmetuar më 23-07-2017, 20:44

Tragjedi për një familje në Tiranë, humbi fëmijën e saj vetëm tre vjeç, pasi ra nga krevati ndërsa ishte duke fjetur.

Ngjarja e dhimbshme ndodhi në familjen e prindërve të rinj në Mushqetë të Bërzhitës në rrethin e Tiranës, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare nga policia e Shtetit.

Fëmija 3 vjeç, S.V., ishte duke fjetur në shtratin e tij, kur duket se ka rënë poshtë shtratit dhe ka pësuar goditje fatale duke gjetur vdekjen.

Prindërit, pasi kanë hyrë në dhomë për ta parë, kanë gjetur fëmijën në tokë dhe të pajetë. Ata janë munduar ta sjellin në jetë, por përpjekjet e tyre nuk kanë sjellë rezultat.

Burime zyrtare nga Komisariati nr 1 i Policisë së Tiranës thanë sot se, nga hetimet paraprake, ka rezultuar se ngjarja ishte aksidentale. “Fëmija trevjeçar, aksidentalisht ka rënë nga krevati dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, - konfirmoi policia duke shtuar se “nga veprimet e kryera rezultoi se shkaku i vdekjes është aksidentale”, duke pohuar se gjithsesi, “materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprim”.

Ky është një rast i përsëritur i aksidenteve të tilla tragjike në Tiranë, Elbasan dhe qytete të tjera. Vetëm në tre muajt e fundit shënohen të patën pesë raste të tilla tragjike ku fëmijët nën 5 vjeç humbin jetën në incidente fatale, në mungesë të pranisë apo vëzhgimit të prindërve, kryesisht në gjumë. /noa.al/