Transmetuar më 23-07-2017, 18:21

Një muzikant nga India ka filluar duke i rënë kitarës ndërkohë që po bëhej operacion në tru, në mënyrë që mjekët të siguroheshin që çdo gjë po ecte mirë dhe nuk kishte asnjë problem.

Abhishek Prasadit iu dha kitara nga vetë mjekët gjatë operacionit shumë të komplikuar për të trajtuar një çrregullim të rrallë neurologjik, të quajtur ‘musicians dystonia’, që shkakton kontraktim të pavullnetshëm të muskujve dhe gjendje anormale.

Para operacionit 37-vjeçarit kishte ngërç në gishtat e njërës dorë, gjë që nuk e lejonte të luante në kitarë, por pas 7 orësh ndërhyrje u shërua plotësisht.

“Gjatë gjithë operacionit Abhishek ishte plotësisht i zgjuar dhe po luante me kitarë, pasi ky problem vjen vetëm kur ai përpiqet të luajë,” është shprehur doktori Sharan Srinivasan. “Reagimi i tij ishte shumë i rëndësishëm për të lokalizuar vendndodhjen e saktë të çrregullimit.”

Ndërsa për muzikantin kjo ishte një përvojë e pabesueshme.

“Isha shumë i habitur që gishtat e mi përmirësoheshin në mënyrë magjike”, tha Abhishek. “Deri në fund të operacionit gishtat e mi ishin shëruar plotësisht dhe mund t’i lëvizja si më parë", shtoi ai.