Transmetuar më 22-07-2017, 16:27

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të shënuar në plazhin e Ksamilit, ku një turiste ruse, 15 vjeçe humbi jetën teksa po lahej në det, policia ka arrestuar autorin e dyshuar për ngjarjen. Ai është Ermal Fataj, 31 vjeç banues në Ksamil.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 15 vjeçarja është goditur nga një mjet lundrues teksa ka qenë duke u larë me mamanë e saj në det dhe në një moment është larguar me not deri në hapësirën ujore ku parkohen mjetet lundruese.

Në atë kohë mamaja vëren një mjet lundrues i cili kalon aty me shpejtësi ku dyshohet se ka goditur me helikë vajzën 15 vjeçare.

Shërbimet e policisë së kufirit, kanë nxjerrë nga deti trupin e  pajetë të shtetases ruse Kseniya Ryok.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë më Prokurorinë ka rezultuar se mjeti lundrues i përket shtetasit Ermal Fataj.

Nga kontrolli në mjetin e Fatajt, u gjetën flokë të cilat janë dërguar për ekspertim. Një tjetër detaji që e tradhtoi Fatajn është fakti se ai ka tentuar të fshehë mjetin lundrues pas ngjarjes. Me urdhër të Prokurorit, policia ka bërë të mundur arrestimin e tij.

15-vjeçarja Kseniya Ryok nga Shen Petersburgu i Rusisë, u gjet e pajetë në mes të detit, me dëmtime në kokë dhe në trup. Mësohet se prej disa ditësh adoleshentja ndodhej me pushime në Ksamil bashkë me nënën e saj. /b.l/noa.al/