Transmetuar më 22-07-2017, 16:02

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e fshatit Ibë, në Tiranë ditën e sotme. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha por për shkak të erës rrezikojnë të përhapen edhe pranë zonave të banuara.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe zjarrfikëset, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve të zjarrit.

Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha se zjarri në Ibë, rrezikon edhe disa banesa. Prençi tha se drejt kodrave të Ibës është nisur edhe një helikopter, për të mundësuar shuarjen e zjarrit.

Situata në vend në 24 orët e fundit

Në Shqipëri vazhdon të jetë problematike situata e zjarreve, vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë evidentuar 12 vatra zjarri në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Lezhë e Fier.

Në operacionin për shuarjen e zjarreve janë angazhuar mbi 50 zjarrfikës me 14 automjete, si dhe 13 forca vullnetare. Gjithashtu kompania VIVA ka vënë në dispozicion helikopterët e saj duke reaguar në mënyrë të shpejt dhe tepër profesionale. VIVA ka angazhuar Pilotët Gjerman të cilët numërojnë mijëra orë fluturimi dhe operacione speciale të suksesshme.

Temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, pasi pjesa më e madhe e zjarreve raportohet të ketë qenë nga pakujdesia dhe në raste të veçanta ka qenë e qëllimshme si vatrat e javës së kaluar në Shkodër dhe në Bulqizë.

Specialistët e Emergjencave Civile, theksojnë se janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve ku në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128. /b.l/noa.al/