Transmetuar më 22-07-2017, 12:44

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet, ku mbeti i plagosur aktori Mishel Prela, i njohur ndryshe si Mishel Manoku, duke konfirmuar se bëhet fjalë për vrasje me pagesë.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Tafaj”, përballë shkollës së mesme “Partizani” Tiranë, ku është tentuar të vritet me armë zjarri Mishel Prela/Manoku.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar i gjithë mekanizmi i ngjarjes, ku policia thotë se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, mbetur në tentativë, nga një grup i strukturar kriminal.

Si rezultat i operacionit u arrestuan të gjithë anëtarët e grupit, duke filluar nga porositësi, ekzekutori dhe përkrahësit pas kryerjes së krimit.

Porositësi është Ervin Zallumi, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i arrestuar ditën e djeshme.

Ai dyshohet se ka porositur vrasjen e Mishel Prelës, kundrejt shumës prej 80 mijë eurosh, shumë të cilën do t’ia jepte shtetasit Shkëlzen Buci dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Shkëlzen Buci, 34 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, ka qenë në rolin e ekzekutorit, të cilit i është gjendur dhe sekuestruar arma e krimit tip pistoletë model 54(TT).

Po ashtu u arrestua dhe Miklar Tola, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili është bashkëpunëtor në tentativën e vrasjes.

Të ndaluarit e tjerë janë Trim Hidri, 41 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, të autorëve të krimit dhe

Ermir Tola, 22 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, vëllai i Miklar Tolës, pjestëar aktiv i këtij grupi kriminal . Mësohet se motivi i kësaj ngjarje është hakmarrja.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijimësi ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Vrasje me paramendim mbetur në tentative, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. /a.y/noa.al

Zbardhet plagosja e aktorit në Tiranë, arrestohet i dyshuari

Personi që u plagos me armë mbrëmjen e djeshme në Tiranë, është aktor

Atentati në Tiranë, si u përpoq i plagosuri t’ia hidhte policëve në spital

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset një person