Transmetuar më 22-07-2017, 11:26
Publicitet

Numri i turistëve që vizitojnë Tiranën ka ardhur në rritje. Pazari i Ri, Sheshi Skënderbej, Reja, Bunk Art, janë vetëm disa nga atraksionet që turistët dëshirojnë që të vizitojnë dhe të marrin një kujtim nga kryeqyteti.

Për herë të parë, Tirana ka tashmë edhe një produkt turistik, që përfaqëson më së miri qytetin në të gjitha dimensionet kulturore dhe historike, që mund t’i rezistojnë kërkesave të tregut dhe pritshmërive të turistëve që e vizitojnë kryeqytetin.

 Bashkia e Tiranës shpalli dje fituesit e konkursit për dizenjimin e suvenirëve, ku morën pjesë më shumë se 40 artistë që paraqitën punimet e tyre për mënyrën se si Tirana duhet t’u prezantohet turistëve të huaj.

Por cilat janë disa nga suveniret më të bukura të cilat do të shërbejnë edhe si simbol i identitetit të Tiranës për turistët anekënd botës?

Këto produkte janë suvenire artizanale të prodhuara sipas metodave tradicionale, por sigurisht që ka edhe element të dizajnit modern që ndërthuren me motivet tradicionale.

Një prej produkteve të veçanta që do të shërbejnë si suvenir është një shishe e dizenjuar në formën e një valltareje tradicionale.

Pjesa e ngjyrosjes dhe e dekorimit është tërësisht artizanale, duke bërë kësisoj që ky suvenir të bartë një pjesë shpirti nga dekoruesi i tij e të gëzojë të gjithë cilësisë e në punimi artizanal në shkallën më sipërore.

Por krahas suvenireve artizanale dhe që përfaqësojnë më së miri traditën e kryeqytetit, janë edhe produktet krejtësisht inovative që ndoshta mund të mos frymëzohen nga tradita, por që arrijnë të mbërthejnë thelbin e të jetuarit në Tiranën bashkëkohore duke u kthyer në simbol të identitet të saj. Një sferë druri ose plastike e cila gjatë lëvizjes së saj shfaq imazhe të ndryshme të qytetit të Tiranës dhe të monumenteve kryesore është një nga punimet që pritet të tërheqë mjaft turistët.

Nuk mund të mungonin për turistët edhe bluzat, ku në të janë të stampuar figurat më të rëndësishme të kombit tonë, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, etj., apo figura të cilat përcjellin mesazhe të ndryshme duke i bërë ato mjaft të veçanta.

Në fotografi, shihni disa nga punimet fituese të cilat do të përfaqësojnë Tiranën në të gjitha dimensionet kulturore dhe historike në sytë e turistëve.

Loading...