Tirana ka tashmë një produkt të mirëfilltë turistik, që përfaqëson më së miri kulturën, historinë dhe zhvillimin e qytetit. Bashkia e Tiranës ka shpallur sot 4 fituesit e konkursit për dizenjimin e suvenirëve, ku morën pjesë më shumë se 40 artistë që paraqitën punimet e tyre për mënyrën se si Tirana duhet t’u prezantohet turistëve të huaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kishte ardhur koha që edhe Tirana të ketë suvenirët e saj, që përfaqësojnë më së miri qytetin në të gjitha dimensionet kulturore dhe historike, e që mund t’i rezistojnë kërkesave të tregut dhe pritshmërive të turistëve që vizitojnë kryeqytetin.
“Kur pamë se turizmi i kryeqytetit përfaqësohej nga suvenire kineze menduam ta zgjidhim duke krijuar një konkurs për të gjithë ata që me pak kreativitet mund të sjellin gjera të bukura”, tha Veliaj.
Duke theksuar se qëllimi i këtij konkursi është rritja e tregtueshmërisë së suvenirëve dhe diversifikimi i tyre, duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore, si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës, për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët dhe turistët që vizitojnë qytetin, ai theksoi se pavarësisht faktit që fitues u shpallën vetëm 4 punime, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dhe veprat e tyre do të kenë mundësi që t’i përmirësojnë ato dhe ti bëjnë pjesë e tregut.
Kryebashkiaku deklaroi se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin është rritur me 2.4 herë. “Për ne turistët nuk janë një potpuri fotosh në instragram, por një mënyrë jetese.
Tirana është një qendër financiare jo vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarinë. Në thelb është një vend ku shërbehet, ka një tregti të zhvilluar dhe besoj një nga burimet më të mira dhe më të sigurta në të ardhmen është turizmi. Vetëm në gjashtë muajt e parë është rritur 2.4 herë numri i turistëve që kanë vizituar Tiranën”, tha Veliaj. /b.l/noa.al/