Transmetuar më 20-07-2017, 20:12
Publicitet

Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë në një dasëm në Kosovë.

Një 41-vjeçare me inicialet G.R , ishte duke vallëzuar në dasmën e djalit të xhaxhait së saj, në Tërnjë të Suharekës, kur pak pas mesnatës u plagos nga plumbat e një kallashnikovi që u hodhën nga një dasmor.

Ajo mori plagë të rënda konkretisht në zorrë dhe mitër dhe kishte pësuar shok hemorragjik, raporton KTV.

Mësohet se ajo, 40 minuta pas mesnatës ishte dërguar në spital në Prishtinë, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë.

Pas operacionit të gjatë gjendja e saj është e qëndrueshme, por duhet të jetë nën kontroll të vazhdueshëm.

Bashkë me të, nga plumbat që u zbrazën në dasmë, u lënduan edhe e motra e dhëndrit dhe një e mitur.

Por, meqë ato kanë marrë lëndime në këmbë, janë trajtuar në Spitalin Rajonal në Prizren. Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen dhe ka njoftuar se për këtë rast ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar disa armë në bastisjen që ka bërë në katër shtëpi.