Transmetuar më 20-07-2017, 14:28

Një krim për nder me motiv fetar. Është ky motivi i vrasjes të një vajze 17-vjeçare Henriette Kara, e cila ka tronditur Izraelin.

Vajza e cila vjen nga një familje me besim të krishterë, ishte dashuruar me një djalë mysliman dhe pavarësisht kundërshtimit të të atit, kishte vendosur të vazhdonte lidhjen, edhe pasi i dashuri i saj u arrestua.

Vajza që jetonte në Ramleh bashkë me familjen, kishte shumë përplasje me të atin, Sami Kara 58 vjeç.

Burri një fanatik i krishterë, nuk e pranonte faktin që e bija të dilte me një djalë mysliman dhe u inatos edhe më keq, kur mësoi se ai ishte arrestuar.

Por ajo që e tërboi dhe më keq, ishte deklarata e vajzës, e cila i kishte thënë se për hir të dashurisë do konvertohej në muslimane, duke u larguar nga shtëpia për t’u strehuar tek shtëpia e nënës së të dashurit të saj.

Por prindërit e Henriette, e gjetën dhe e detyruan të kthehej në shtëpi me zor.

Më 13 qershor ajo u vra me disa goditje thike në fyt, në banesën e saj. Për krimin, u arrestuan të dy prindërit dhe një i afërm tjetër, shkruan noa.al.

Mësohet se vajza kishte tentuar të bënte denoncim në polici. Pas vdekjes së saj një sërë organizatash dolën në protestë, kundër autoriteteve, duke thënë se nuk e kishin mbrojtur siç duhet.

Babai i saj është deklaruar gjithnjë i pafajshëm, por pavarësisht kësaj ndodhet në qeli.

Mësohet se ai i kishte thënë së shoqes, “Harrojeni atë, nuk ja vlen. Çnderoi familjen tonë. Është një fundërrinë dhe meriton të vdesë e braktisur si qen”. /a.y/noa.al