Transmetuar më 20-07-2017, 13:01

Përzgjedhja e editorit të NOA.al- Agjencia Kombëtare e Lajmeve: Epitech, më në fund universiteti i mirënjohur francez me dhjetëra mijë studentë në 12 kampuset në qytetet e Francës, kryeqytetet e Europës, SHBA e Azi, tashmë e kemi edhe në Tiranë

Tiranë, 20 Korrik 2017 NOA.al – Institucioni i lartë arsimor privat më i madh në Francë, me shtrirje edhe në disa vende të tjera të zhvilluara në Europë, SHBA dhe Azi, mbërrin në Shqipëri, për t’i ofruar të rinjve dhe të rejave, diploma me punësim të garantuar në fushën e teknologjisë.

Epitech Francë është një Institucion i arsimit (Grande Ecole), që formon ekspertë në fushën e Teknologjive të Informacionit. Epitech është i shtrirë në 12 qytete të ndryshme të Francës. Kurse jashtë saj, gjendet në Berlin të Gjermanisë, në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, të Belgjikës, Bruksel. Epitech gjendet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinë.

Me hapjen e madhe në Shqipëri, Epitech shndërrohet në ëndrrën e realizuar për shumë të rinj dhe të reja nga Shqipëria që dëshirojnë të kapin të ardhmen duke studiuar dhe përfituar profesionin më të kërkuar dhe më progresist të viteve të fundit, teknologjia e informacionit.

Epitech, Universiteti i Inovacionit dhe Ekspertizës Informatike, është krijuar në Francë. Ai është pjesë e grupit IONIS i cili përgatit çdo vit mbi 26 000 studentë dhe ka mbi 60 mijë studentë të cilët kanë përfunduar studimet dhe janë të integruar në jetën profesionale në pozicione të larta drejtuese.

Epitech është licencuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri dhe ka garantuar hapjen e universitetit në Tiranë, këtë vjeshtë.

Ndaj informaticienët e së ardhmes tani e tutje do të formohen në Shqipëri në sajë të ekspertizës të njohur në fushën e teknologjisë së informacionit në arsimin e lartë, të Universitetit Epitech.

Kjo shkollë është pjesë e sistemit të Grandes Ecoles në Francë ku përfshihen shkollat me nivelin më të lartë të seleksionimit të nxënësve, të mësimdhënies dhe punës akademike gjatë periudhës së studimeve, si dhe që ofrojnë një mësimdhënie e cila në vazhdimësi përshtatet me kërkesat e tregut duke pasur një marrëdhënie mjaft të afërt me ndërmarrjet private.

Nëpërmjet partneriteteve gjithnjë në rritje me aktorët kryesorë ekonomik të sektorit dhe të institucioneve prestigjioze të arsimit të lartë në botë, Epitech ka fituar një reputacion ekselence ndërmjet shkollave të mëdha franceze dhe është e njohur si një nga shkollat më të mira për të transformuar pasionin për informatikën në një ekspertizë e cila mundëson punësimin në nivele të larta drejtuese.

Në një botë në ndryshim të vazhdueshëm, ku vetëm njohuria nuk mjafton si garanci për sukses, Epitech garanton sukses bazuar në një model të ri pedagogjik.

Fakt është se 100% e studentëve Epitech janë nëpër kompani në përfundim të studimeve të tyre.

Më shumë se vetëm një mësim i thjeshtë, Epitech sjell arsimimin e tij të qëndrueshëm që u mundëson studentëve të jenë udhëheqësit e revolucioneve teknologjike të së sotmes dhe të së nesërmes.

Epitech Albania përgatit studentët me programin e saj Bachelor 3-vjeçar, dhe në përfundim të studimeve 5-vjeçare ku përfshihet master, marrin titullin, Ekspert në Teknologji Informacioni e njohur nga Shteti Francez.

Lëndët do të zhvillohen në gjuhën angleze dhe me të njëjtat kushte si në Francë, nga pedagogë të Epitech Francë, e cila do të jetë vazhdimisht garante për reputacionin e ekselencës pedagogjike. Gjuha dhe vlerat franceze do të jenë të vlerësuara në mënyrën e duhur.

Epitech Albania pranon regjistrimet për studentët e saj vetëm pas përfundimit të maturës. Kandidatët do të seleksionohen mbi bazën e intervistës motivuese, testit të anglishtes dhe testit logjik.

Ndaj të gjithë të apasionuarit mbas informatikës janë të mirëpritur te Kampusi i Epitech Albania i cili ndodhet pranë Tirana Business Park.

Në mesin e 25 shkollave të larta private që gjenden aktualisht në Shqipëri, ku pjesa më e madhe janë larg lidhjeve me universitete të mirëfillta kërkimore-shkencore siç është Epitech, ardhja e shkollës së lartë private më të madhe franceze është një lajm i mirë për djemtë dhe vajzat shqiptare dhe për prindërit e tyre që vuajnë po njësoj ankthin e të ardhmes së fëmijëve të tyre.

Me çeljen e universitetit, pas disa javësh, në tetor, Epitech pritet të shndërrohet në një lojtar ndërkombëtar të avancuar në zhvillimin e projektit të saj të arsimit. Ndërsa ka zhvilluar një mjedis multikulturor dhe të avancuar, Epitech njëkohësisht investon me kompanitë për të mundësuar lëvizje më të madhe sa më shumë të jetë e mundur për përfundimin e vitit të parë të praktikës akademike jashtë vendit.

“Në agimin e një dekade të re, ne duam të trajnojmë ekspertë të aftë të integrimit në një botë të globalizuar, dhe të mësojnë gjuhën angleze për të përfunduar ndërkombëtarizimin e studentëve tanë, dhe mjeshtëri profesionale të gjuhës angleze është plotësisht pjesë e pedagogjisë se shkollës sonë”, – thonë nga stafi i Epitech në Tiranë. Ata detajojnë se dy vitet e fundit të kurrikulës do të zhvillohen tërësisht në gjuhën angleze.

Punësimi

Fusha e informatikës dhe e teknologjisë është një nga profesionet më të kërkuara dhe më të paguara në tregun e punës në Shqipëri. Në vitin 2015, kanë përdorur kompjuter për qëllime pune 95,0 % e ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar rezultojnë të kenë përdorur kompjuterë. Jo më pak se 25 për qind e punonjësve në ndërmarrjet shqiptare, punojnë me kompjuterët.

Akademia Epitech, nëpërmjet programit dhe planit mësimor të bazuar në praktikë, si dhe nëpërmjet partneriteteve me institucione dhe ndërmarrje të huaja dhe vendase garanton punësimin në masën 100%.

Investimi i EPITECH në Shqipëri

Plani i investimeve të Akademisë EPITECH bazohet në ndërtimin e një kampusi universitar: objekti universitar 9000 M2, laboratorët e kërkimit 250 M2; godina e konvikteve me 90 dhoma, 260 shtretër, fushë sportive e jashtme për Futboll dhe Basketboll.

Por çfarë e bën EPITECH të investojë në sektorin arsimor në Shqipëri?

Fakt është se Shqipëria ka popullsinë më të re në botë, pas Sudanit. Plot 75% janë më të rinj se 35 vjeç, 76% popullsisë përdor internetin. Ndërkohë, dalin rreth 50 mijë maturantë në vit.

Nxitje të tjera për Epitech, janë pozita gjeografike e Shqipërisë, tendencat pozitive ekonomike, njohja e gjuhëve të huaja si anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht në një nivel të lartë, dhe veçanërisht gjuhës angleze.

Programi Mësimor Epitech

Programi mësimor shtrihet në pesë vite dhe viti i katërt është i detyrueshëm për studentët të cilët janë të regjistruar që në vitin e parë akademik, të zhvillohet në një shkollë jashtë Shtetit. Mësimi në Epitech bazohet ne praktike dhe projekte te shumta.

Epitech ka nënshkruar një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh partneriteti duke mundësuar studentët e saj të kryejnë vitin e katërt të studimeve në një vend të huaj duke përfshirë vendet anglosaksone por edhe së fundmi Kinën, Rusinë, Indinë e vende të tjera.

Studentët e Epitech shumë shpejt pasi përfundojnë studimet rekrutohen nga kompani të rëndësishme në tregun ndërkombëtar dhe në pjesën më të madhe të rasteve rekrutohen gjatë periudhës së studimeve nëpërmjet praktikave që janë të detyruar të ndjekin.

Çfarë përfiton Shqipëria

Për Shqipërinë si shtet, është më se e nevojshme që të ketë një imazh të rëndësishëm, ku studentët nga e gjithë bota dhe rajoni vazhdojnë studimet e tyre në një institucion ndërkombëtar që ofron 100% shanse për një punë pas studimeve.

Shqipëria do të shërbejë si pikë referimi për Epitech në Evropën Jug-Lindore, duke krijuar një nga kampuset më të mëdha qe sot Epitech ka në botë.

Studentët që studiojnë në gjuhën angleze në Epitech, do të gjejnë punë 100%, ndërkohë që edhe do të jenë ambasadorë për Shqipërinë në kompanitë ndërkombëtare ku do të punojnë.

Kompanitë e mëdha ndërkombëtare në veçanti, me praninë e Epitech në Shqipëri, do të fitojnë besimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e teknologjisë,të kualifikuar si ekspertë, që në një te ardhme shumë te afërt të investojnë kapitale në nivelin e ekspertëve qe do të kryhen nga Shqipëria.

Avantazhet e krijimit të Akademisë Epitech në Shqipëri:

Akses i lehtë në një fuqi punëtore shumë të motivuar dhe qendër ambicioze e të rinjve

Metodologji Unike mësimdhënieje: Fokusimi në mësimin e avancuar, që nuk është i bazuar në teknologjinë ekzistuese, por formësuar ne të ardhmen

Plotësimi i një vakuumi; aktualisht nuk ka ekspertë të kualifikuar në Universitetet në Shqipëri për teknologji të avancuar

Përfitimi nga një universitet ndërkombëtar, Diploma e të cilit garanton punësim për 100% të studentëve (Burimi IPSOS)

Përgatitja e brezit të ri për tregun global; viti i katërt është i detyrueshëm jashtë vendit, leksionet janë në gjuhën angleze në mënyrë që të prezantojnë studentët me botën e sotme. /a.b/noa.al