Transmetuar më 20-07-2017, 10:06

Eljo Hysko prej disa ditësh bashkë me 2200 të rinj është në kampin e Jalës. Duket se tashmë “lufta” me LRI-në ka përfunduar dhe kryetari i FRESSH-it shprehet se gjithçka po ecën më së miri në këto ditë. Në një intervistë dhënë për “Summer Pages” të “GSH”, ai tregon detaje nga pushimet në Jalë. Goca të bukura duket se ka plot, por Eljo ka pak kohë në dispozicion për t’i parë, sidomos ato të LRI-së. Hashash apo alkool në kamp? Kryetari i FRESSH-it na thotë se janë marrë të gjitha masat që të mos ndodhë asnjë incident. Sa i përket asaj nëse bëhet apo jo seks, nuk di të thotë gjë, pasi nuk i futet askujt në çadër.

Si po ecën kampi në Jal?

Kampi është, në fakt, kampi më i madh që ne kemi zhvilluar ndonjëherë si forum, po besoj edhe kampi më i madh që është zhvilluar ndonjëherë nga një forcë politike. Janë 2200 të rinj të cilët janë pjesë e këtij eventi. Është një eksperiencë e pazakontë, do thosha unë. Ne si forcë kemi përballuar sfida shumë të mëdha, kemi qenë përballë qindra njerëzve, aksione të ndryshme në fushatë, po jo vetëm. Është magjike të menaxhojmë plot energji të jashtëzakonshme këta të rinj në Jalë.

Si u pajtuat me LSI-në për sa i përket kampit? U duk sikur e morët seriozisht atë ‘luftën’ në fillim…

Jemi anëtarë me të drejta të plota në këtë organizatë. LRI-ja kishte aplikuar për të qenë mikpritëse e kampit dhe ne si FRESSH u ofruam si organizatë suportuese dhe kemi ndarë pothuajse gjysmën e organizimit. Unë besoj se jemi treguar mjaftueshmërisht të pjekur, si ekipi drejtues i FRESSH-it, si ekipi i LRI-së me Kejdi Mehmetajn, për të lënë përplasjet e brendshme që kemi si forca politike.

Duket se LSI-ja dhe PS-ja kanë bërë një ‘luftë’ gjatë fushatës. Po në Jalë, janë pajtuar?

Ne këtu në Jalë jemi shumë të paqtë. Të paktën nga ana e FRESSH-it, po edhe nga ana e LRI-së, nuk kemi pasur probleme apo konflikte. Vera i ka relaksuar përplasjet apo konfliktet mes të rinjve. Jemi gati të përballemi çdo ditë me LSI-në, PD-në për debate politike, pasi ne besojmë se nuk mund ta bëjnë ata më mirë qeverisjen e vendit sesa Partia Socialiste.

Flisni ndonjëherë me kunja aty me njëri-tjetrin? Ndonjë detaj që mund të më thoni?

Realisht është e pamundur në kohë fizike të kemi kontakte apo të ndjejmë kunja nga të jashtëm. Jemi forumi më i madh në vend. Ne mund të merremi vetëm me veten.

A pihet alkool, hashash apo a bëhet seks në kamp?

Ne si ekip organizator kujdesemi që në kamp të mos ndodhë asnjë nga këto fenomene. Ne kemi njoftuar Policinë e Shtetit dhe ka masa rreptësisht të ndaluara për pjesën e hashashit.

Po seks, a bëhet?

Nuk i kam hyrë në çadër njeriu, po njerëzit më duken të çtensionuar.

A ka goca të bukura në Jalë, për Eljon?

Këtë duhet të vish ta shohësh. Vajzat e FRESSH-it janë vajzat më të mira.

A ka ngacmuar Eljo ndonjë gocë, të LRI-së për më tepër?

Unë dhe ekipi jemi në krye të detyrës e nuk na e lejon koha fizike të kemi impenjime të tjera.

Jashtë kampit të Jalës, a ka Eljo të dashur?

Jo jo, jam ‘single’. Ka qenë një vit i vështirë sa i përket karrierës dhe nuk kam pasur hapësira për t’iu dedikuar jetës personale.

A do të ta tërheqë këmbën Turi?

Tani ai do e tërheqë këmbën, por për më vonë, se është ende herët. Unë jam vetëm 24 vjeç.