Transmetuar më 20-07-2017, 07:56

Zanatçinjtë janë shtylla kurrizore e një kombi kur kombi dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij në shekuj. Po qe se ka vendosur të bëjë vetëvrasje kolektive le t’i çojë të gjithë çunat dhe gocat e veta të bëhen poetë, nëpunës, apo specialistë të shkencave politiko-analitike.

Pa punë, pa punë, pa punë.

Nga Artan Fuga

Me gomistin e lagjes Plazh të Durrësit Fred Dakavelli. Pasi më riparoi gomën patëm dëshirë të dalim një foto sepse edhe ca biseda përtej profesioneve tona edhe i bëmë.

Për t’i thelluar ndofta e lamë kushedi për një kafe në ditë pushimesh.

Siç thonë: Patëm një konsultim të frytshëm dhe miqësor. Unë nuk e njihja më parë sepse “halli” nuk më kishte çuar te dera e ateliesë së tij.

Mbeta edhe shumë i kënaqur si klient.

Nuk heq dorë nga bindja ime. Teknikët i bëjnë punët më mirë se llafollogët teoricienë.

Zanatçinjtë janë shtylla kurrizore e një kombi kur kombi dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij në shekuj. Po qe se ka vendosur të bëjë vetëvrasje kolektive le t’i çojë të gjithë çunat dhe gocat e veta të bëhen poetë, nëpunës, apo specialistë të shkencave politiko-analitike.

Pa punë, pa punë, pa punë.

Fredi ma hoqi gozhdën nga goma, e punoi mirë e bukur kapertonin nga brenda, dhe unë vazhdova i qetë rrugëtimin me gomën e kolauduar për bukuri e centruar perfekt.

Sa më afër profesionit, sa më afër objekteve, sa më afër procedurave konkrete, sa më të hapur ndaj transparencës së njerëzve, sa më e ndarë në pjesë puna që bën, aq më shumë njeriu është i kthjellët, i qartë, i saktë.

Nisni dhe flisni për gjëra të përgjithshme, globale, që nuk janë as profesioni juaj dhe as kanë lidhje me dijet tuaja, që i shihni nga lart dhe nga larg, dhe menjëherë nisim të delirojmë dhe flasim e shkruajmë kodra pas bregut!

Nejse, të lumshin duart Fred Dakovelli!

Aty te Rrota e Kuqe e keni në Plazh!

Te ajo rruga e urbanizuar bukur!