Transmetuar më 19-07-2017, 14:10

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka sqaruar opinionin publik në lidhje me komentet për “ndalimin” që i bëhet autobusëve me pushues për të kaluar në rrugën Pavarësia në plazhin e Durrësit.

Kryebashkiaku Dako shprehu keqardhjen për zërat që thonë se diskriminohen pushuesit nga Kosova pasi sipas kryebashkiakut pushuesit nga Kosova janë turistët bazë të plazhit të Durrësit dhe ata janë të mirëpritur.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zone ndaj lëvizja e autobusëve në këtë rrugë krijon kaos por kjo nuk do të thotë që ata ndalohen për të ardhur në plazh, përkundrazi, u shpreh kryebashkiaku Dako, janë në dispozicion të këtyre mjeteve 5 akse që lidhen me rrugën Pavarësia dhe që bëjnë të mundur që pushuesit të shkojnë në plazhin e Durrësit:

“Kemi kërkesë nga shoqëritë e transportit dhe agjencitë turistike të cilët sjellin turistë nga Rinasi me destinacion një hotel të vetëm. Për këto raste, kemi dhënë leje kundra tabelë për hyrjen e autobusëve ne destinacionin e përcaktuar. Ka një ndryshim të autobusave që vijnë nga Kosova dhe autobusëve me turistë me destinacion. Autobusat që vijnë nga Kosova përshkojnë të gjithë gjatësinë e rrugës “Pavarësia”, duke ndaluar në çdo stacion dhe duke zbritur pasagjerë të ndryshëm”, u shpreh Dako.

Ai sqaroi se kjo bëhet pengesë për funksionimin normal të qarkullimit në atë rrugë që ka fluks shumë të madh lëvizjeje në këtë sezon turistik.

Kryebashkiaku deklaroi se në asnjë mënyrë nuk ndalohen turistët kosovarë përkundrazi ftohen që të vijnë në plazhin e Durrësit por ata mund të përdorin një seri aksesh për të shkuar në destinacionin përkatës.  

“Janë pesë akse për tu lidhur nga autostrada me rrugën “Pavarësia”: Rruga e ndërtuar prej nesh, gjysma e së cilës ka përfunduar, segmenti i rrugës mbi kanal, i jep mundësi këtyre auobuzëve të bëjnë lëvizje paralele me një distancë jo më shumë se 100 m larg rrugës “Pavarësia”. Autobusët që vijnë nga Kosova i kanë të gjithë alternativat e mundshme për të zbritur pasagjerët në vendet të cilat i kanë zbritur edhe më parë, por ndoshta shoferët e autobusëve dukë mos qenë në dijeni të këtyre akesese të reja, krijohet kaos. Rruga dytësorë mbi kanal është më standarde, 7 m e gjerë, pra është mundësia që autobusët të kalojnë në atë rrugë”, tha ai.

Më tej bëri me dije se po punohet çdo ditë që të ketë një plazh sa më të pastër, sa më të bukur, me kushte sa më te mira në shërbim të vizitorëve.

Dako sqaroi se vendimi që është marrë për autobusët që vijnë nga Kosova, është i njëjtë edhe për furgonat që furnizojnë dhe japin shërbimet e tyre në të gjithë zonën e plazhit, të cilët nuk lejohen të qarkullojnë në këtë zonë nga ora 7:00 deri ne orën 24:00.

“Shërbimet e tyre mund t’i kryejnë gjatë natës. Shërbimet frigoriferike, të cilët mund të kenë raste emergjente, i kemi përcaktuar një orë, dy herë në javë për të bërë furnizime. Kemi gjetur alternativën e duhur për të mbajtur ekuilibrin mes furnitorëve dhe trafikut në këtë zonë”, deklaroi kryebashkiaku i Durrësit. /a.y/noa.al