Transmetuar më 19-07-2017, 13:19

Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për t’i dhënë një pamje dinjitoze hyrjes veri-lindore të kryeqytetit. Bashkia po rindërton Rrugën e “Dibrës”, segmentin nga “Farmacia 10” deri në Kinostudio, e cila u shërben mijëra banorëve dhe është një nga portat hyrëse në Tiranë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punimeve për pasjen e një rruge me standarde, me gjelbërim dhe korsi të dedikuar për biçikletat.

“Bashkia po ndërton Rrugën e Dibrës, si pjesë urbane, kurse qeveria do të bëjë Rrugën e Arbrit, nga kthesa e Tufinës deri në Peshkopi. Pra, po përgatisim një hyrje dinjitoze për Tiranën, siç bëmë me Rrugën “Dritan Hoxha”, e siç po punojmë në Kombinat dhe në Rrugën e Elbasanit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj deklaroi se po punohet me ritëm të lartë në mënyrë që shumica e punimeve në këtë segment të kryhen gjatë periudhës së verës, kur qytetarët janë me pushime dhe kur Tirana ka më pak lëvizje. Ai tha se projekti i rrugës parashikon ndërtimin e një korsie të dedikuar dhe të mbrojtur për biçikletat.

“Do të punojmë me tre turne që të sigurohemi që kjo rrugë cilësore, e cila do të ketë një korsi të dedikuar biçikletash, të mbrojtur fizikisht nga korsitë e makinave, me një ndriçim bashkëkohor dhe sigurisht me të gjitha fasadat e rregulluara, në fund të verës t’i japë kësaj lagjeje një hapësirë shumë më dinjitoze se sa hapësira që gjetëm në fillim. Besoj se ky investim do përkthehet menjëherë në një rritje të vlerës së pronës në të dyja anët e rrugës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve të zonës për të shmangur në maksimum lëvizjet me makina nga Rruga e “Dibrës”, për të mos u përballur me problematikat që sjellin punimet.

Ai bëri të ditur gjithashtu se brenda verës do të përfundojë edhe hyrja jugore e qytetit te Kombinati Ushqimor, ndërsa po ndërhyhet në të gjitha rrugët hyrëse në autostradë.

Veliaj garantoi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të punojë me të njëjtin ritëm edhe në dy vitet e tjera të këtij mandati, për të mbajtur premtimin për të bërë çdo ditë nga një punë në shërbim të qytetarëve dhe transformimit të Tiranës. /a.y/noa.al