Transmetuar më 19-07-2017, 11:14

Italiani Cristiano Panucci firmosi sot zyrtarisht si trajner i kombëtares shqiptare të futbollit.

Në krahë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armado Duka, ata firmosën kontratën, duke zëvendësuar kështu Gianni De Biasin.

Duka e vlerësoi Panuccin, si një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit botëror dhe atij italian, duke shprehur besim për punën e tij. 

“Ka një eksperiencë të madhe si lojtar, ndoshta modeste në trajnim. Kemi bërë zgjedhje shumë të mirë, për mua është një njeri me vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme. Jam i bindur që të gjithë bashkë do të bëjmë të mundur të jemi pjesë e Euro 2020”, deklaroi Duka.

Nga ana e tij Panucci, tha se dihet i nderuar që është trajner i kombëtares shqiptare të futbollit, duke shprehur bindjen se do ketë një skuadër shumë të mirë.

“Nga rezultatet e deritanishme Botërori duket i pamundur, synimi kryesor është Kampionati Europian i Futbollit 2020”, deklaroi Panucci.

I pyetur se si vendosi të merrte drejtimin e kombëtares shqiptare, tha se ishte shumë e lehtë, duke e cilësuar si një rast të rëndësishëm dhe prestigj për të.

“Presidenti Duka u tregua shumë praktik, kishte dëshirë të më sillte pavarësisht se kishte shumë kandidatë të tjerë. Doja diçka serize për të nisur rrugëtimin si trajner. Shpresoj të lë gjurmë”, tha trajneri i ri i kombëtares shqiptare.

Ai vlerësoi paraardhësin e tij duke thënë se, “De Biasi bëri historinë me Shqipërinë dhe unë do të përpiqem që të bëj një tjetër histori me këtë skuadër. Është e vështirë, por jam i bindur se do t’ia dalim mbanë” /a.y/noa.al