Transmetuar më 19-07-2017, 08:59

Futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit Andi Lila, në një rrëfim ndryshe flet për historinë e dashurisë me të shoqen Ornelën, ardhjen në jetë të të birit dhe karrierën e tij.

Këtë periudhë vere ai po pushon me të shoqen dhe djalin 2-vjeçar, Ayan, për të cilin Lila thotë se i ka ndryshuar krejtësisht jetën.

I ftuar pasditen e së martës në emisionin “Rudina”, në Klan, Lila ka ndarë me publikun shumë nga emocionet më të mëdha të jetës, ndeshjet e kombëtares, sakrificat që atij dhe shokëve të skuadrës u janë dashur të bëjnë për kombëtaren, por edhe momentin më të bukur të jetës.

“U bëra baba kur isha 29 vjeç dhe do të doja të isha bërë që 20 vjeç. Jeta më ndryshoi rrënjësisht. Para se të vinte në jetë Ayan, isha më shumë i dhënë pas shoqërisë, ndërsa tani e kam ditën më të organizuar. Ayan është aty gjatë gjithë kohës, më mblodhi në shtëpi”, thotë futbollisti.

Ai e cilëson të birin si bekim, duke treguar se firmosi kontratë me Serinë A, Shqipëria shkoi në kampionatin Europian të futbollit dhe shumë mbarësi të tjera.

E shoqja tregon se, jashtë fushës së futbollit, Andi është komplet e kundërta.

“Është gjithmonë i përkushtuar me familjen, jemi bashkë gjatë gjithë kohës, kalojmë shumë kohë edhe me djalin. Pasditet i kemi gjithmonë bashkë”, tregon ajo.

Andi dhe Ornela kanë treguar se janë lidhur bashkë fare të vegjël qysh në gjimnaz, kur ajo ishte 15 vjeçe dhe ai 18.

Andi Lila shtoi më tej, sporti shqiptar do të kishte një tjetër futbollist me mbiemrin Lila dhe ky do të ishte vëllai i tij, Eraldi.

Ai thotë se dikur luante në një skuadër me vëllanë, por një episod i sikletshëm për të e bëri që ta largonte Eraldin nga skuadra.

Një ditë ishim duke luajtur dhe Eraldit i ra një top në fytyrë dhe ai filloi të qante. E hoqa fare nga skuadra sepse më erdhi turp që ai qau”, rrëfeu Lila. /a.y/noa.al