Transmetuar më 18-07-2017, 12:16

Trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit pritet që të përfitojë një pagë thuajse të njëjtë me atë të Giani De Biazit në sezonin e parë në krye të Shqipërisë.

Burime të besueshme nga Federata Shqiptare e Futbollit për “Panorama Sport” kanë bërë me dije se Cristian Panucci do të përfitojë një pagë mujore prej 20 mijë eurosh.

Kërkesat e ulëta ekonomike kanë ndikuar jo pak në përzgjedhjen e presidentit të FSHF-së për teknikun që do të pasojë De Biazin në krye të kombëtares.

Prej javësh, kandidatët për postin e teknikut të përfaqësueses shqiptare kanë qenë në “garë” për të bindur Armand Dukën për të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare të futbollit. Panucci do të nënshkruajë një kontratë prej 2 vitesh e katër muaj. Ai nis aventurën e tij me Shqipërinë pas disa ditësh deri në fund të këtyre kualifikueseve dhe më pas do të jetë në krye të Shqipërisë për edicionin e ardhshëm kualifikues për Europianin e vitit 2020.

Të gjithë tifozët shqiptarë presin momentin e firmës në kontratë të Cristian Panuccit për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Por për momentin, e vetmja firmë që ish-futbollisti i njohur italian ka hedhur është ajo në kontratën e tij si opinionist sportiv. I punësuar apo jo te Shqipëria, Panucci gjatë sezonit 2017-2018, do t’i kushtojë mesjavat Ligës së Kampioneve. “Mediaset Premium” ka bërë të ditur se kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Shqipërisë do të jetë opinionist në studio në mesjavë në emisionin “Speciale Champions League”, përkrah Arrigo Sakit, Paolo Rosit dhe Alesio Takinardit.

Panucci bashkëpunon prej disa vitesh me “Premium Sport”, duke qenë opinionist në studio apo edhe në stadium gjatë ndeshjeve të rëndësishme. Falë këtij “dypunësimi”, ai ka rënë dakord me FSHF-në për kërkesa më të ulëta financiare sesa disa emra më të njohur. Edhe De Biazi, gjatë viteve të fundit, ka qenë i punësuar paralelisht si opinionist te “RSI” në Zvicër për Ligën e Kampioneve dhe “TV8” në Itali për Ligën e Europës.