Transmetuar më 17-07-2017, 22:43

Një vajzë 21 vjeçe eshte arrestuar pasi dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me pasojë vdekjen e biznesmenit nga Vlora, Bukurosh Malaj.

46-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, tri ditë pas aksidentit rrugor të ndodhur në aksin Vlorë-Mifol, të premten e kaluar. Policia, pas aksidentit, arrestoi në flagrancë shtetasen me iniciale A.S., e dyshuar si shkaktare e aksidentit me pasojë vdekjen e tij. 21-vjeçarja, sipas Policisë, në momentin e ngjarjes dyshohet se po drejtonte automjetin e markës “Mercedes Benz”, model E 310 D, me targa AA 184 CE, me dokumente të rregullta, pa patentë, ndërsa i ulur si pasagjer në makinë ndodhej dhe biznesmeni Malaj. Në momentin e parë të shoqërimit në polici, vajza ka deklaruar se Malaj ishte përplasur nga një kamion në çastin që kishte nxjerrë kokën nga automjeti në ecje e sipër. Por, sipas të dhënave të Policisë, dyshohet se përplasja fatale ka ardhur gjatë kohës kur Malaj me makinën e tij po i mësonte drejtimin e automjetit 21- vjeçares A.S.

Kjo e fundit në një moment të caktuar dyshohet se ka humbur kontrollin e makinës duke u përplasur me një automjet tjetër. Për pasojë, 46-vjeçari mori plagë të rënda në kokë dhe u transportua me urgjencë për në spital. Dyshohet se biznesmeni Malaj kishte lidhje intime me vajzën dhe se gjatë deklarimeve të saj në Komisariatin e Policisë në Vlorë, ajo është përpjekur që të fshehë të vërtetën mbi ngjarjen, për t’iu shmangur më pas përgjegjësive penale që do të rëndonin mbi të./panorama