Transmetuar më 17-07-2017, 19:39

Policia e San Giorgio su Legnano në Itali ka arritur të prangosë një shtetas shqiptar, i akuzuar për dhunë në familje. Ai është një 43-vjeçar, me inicialet J.V, i cili ka tentuar ta godasë me thikë bashkëshorten e tij. Mediat në Itali shkruajnë se teksa burri i saj e ndiqte nga pas me 6 thika në dorë, për ta goditur, ajo ka mundur të arrijë në banesën e motrës dhe menjëherë ka mbyllur derën.

Pas veprimit të gruas, ai ka nisur të qëllojë më grushte dhe shkelma derën e apartamentit, ku bërtiste dhe kërcënonte bashkëshorten.

Thuhet se ai ka dashur të vrasë gruan për motive xhelozie, ndërsa 35-vjeçarja ka shkuar për t’u strehuar te motra e saj. Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptari, është i identifikuar si kunati i Edmond Lleshajt.

Mësohet se ky i fundit nuk është një emër i panjohur për autoritet italiane, pasi në nëntor të viti 2016, ka vrarë dy kushërinjtë Agron dhe Alban Lleshaj.

Vrasja në atë kohë ndodhi për kontrollin e territorit në Legnano për shitjen e heroines.