Transmetuar më 17-07-2017, 17:07

Njëri nga të arrestuarit në operacioni antidrogë të fundjavës së kaluar në Kavajë, ku u sekuestrua rreth 1.3 ton kanabis sativa, mohon përfshirjen në trafik droge.

Arvis Muçaj, ndaj të cilit gjykata vendosi sot “arrest me burg”, si për të pandehurit e tjerë mohoi çdo akuzë, duke kërkuar të lihej i lirë.

“Po më merrni në qafë kot, martohem më 27 gusht”, – ka thënë ai para gjykatës.

Më tej ai ka shtuar mjetin tip “Land Rover” brenda të cilit u gjetën rreth 350 kg drogë e ka shitur tek Ergest Sina, por shtoi se nuk ka ndërruar pronësinë e saj, madje pretendon se blerësi i kishte edhe një shumë parash për të shlyer.

Gjithashtu edhe familjarët e tij kanë thënë në sallën e gjyqit se djali merret me tregti makinash dhe se ditën kur u kap droga, ka qenë në banesë.

Hetimet

Mbrëmjen e së enjtes, Policia e Kavajës zbuloi dy mjete, një furgon dhe një fuoristradë Land Rover, një sasi prej 1350 kg lëndë narkotikë, konkretisht, 1 ton u gjet në furgon dhe 350 kg në mjetin fuoristratë “Land Rover”.

Personat që gjendeshin në këto dy mjete janë larguar me shpejtësi. Në vijim të veprimeve policore, u shoqëruan në komisariat 3 persona, të cilët gjendeshin në një veturë tip SAAB, pranë vendin ku u gjet lënda narkotike. Këta shtetas u identifikuan si Kejvi Hajdari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj.

Gjatë veprimeve vijuese, grupi hetimor sekuestroi edhe dy automjete të tjera, njëra veturë Toyota dhe tjetra kamionçinë, si edhe shumë pranë bregut të detit, një skaf me dy motorë, i lidhur me një zetor që shërbente për tërheqjen e tij.

Në total, deri në këtë fazë hetimore, janë sekuestruar 7 mjete lëvizëse, nga të cilat dy vetura, një fuoristradë, një furgon, një kamionçinë, një zetor dhe një skaf.

Me zbulimin e skafit, grupi hetimor krijoi dyshimet se lënda narkotike ishte për qëllim trafikimi dhe, për këtë arsye, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Pas marrjes në pyetje të tre personave të shoqëruar, si edhe pas identifikimit të dy personave të tjerë që kishin lidhje pronësie apo përdorimi me mjetin tip fuoristradë ku u gjet një pjesë e lëndës narkotike rreth 350 kg, prokuroria urdhëroi ndalimin e të pestëve, si persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre.

Shtetasit Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu kanë deklaruar se janë nisur nga Tepelena me mjetin tip "Saab", të drejtuar nga Kejvi Hajdari, për t’u ulur për drekë në Kavajë.

Pasi kanë përfunduar drekën, në mbrëmje vonë janë nisur për t’u kthyer, por kanë humbur rrugën në zonat rurale të Kavajës.

Ata kanë konstatuar një patrullë policore, të cilët e kanë pyetur për rrugën, por në këtë moment, ata janë shoqëruar nga ana e policisë. Ata mohojnë përfshirjen në trafikun e narkotikëve.

Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se Kejvi Hajdari, deklaron se ka qenë nën drejtimin e mjetit Saab, por rezulton se ai ka përdorur gjatë ditës së enjte edhe kamionçinën, e sekuestruar tashmë, e cilat gjendej e mbyllur pranë një karburanti në Kavajë.

Roland Hysenbelliu deklaron se ka qenë pasagjer në mjetin e drejtuar nga Kejvi Hajdari dhe ishin për drekë shoqërore në Kavajë.

Ndërkohë, në Kavajë është gjetur një tjetër mjet i mbyllur, Toyota, i cili rezulton të jetë blerë nga një familjar i tij rreth dy muaj më parë në Tepelenë.

Për Joni Sadikaj, në furgonin ku u zbulua 1 ton lëndë narkotike, u gjet edhe një kartë telefonie celulare.

Në bazë të veprimeve hetimore, rezultoi se kjo kartë është blerë në Tepelenë nga një shtetas, i cili nuk e kishte përdorur asnjëherë, por ia kishte dhënë Sadikaj.

Ndërkohë, pas ndalimit të tre personave të mësipërm, prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin edhe të Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj.

Ata rezultojnë të kenë lidhje me pronësinë e mjetit tip fuoristradë, në të cilën u gjend rreth 350 kg lëndë narkotike. Në deklarimet e tyre, ata kanë mohuar të jenë përfshirë në veprimtarinë e trafikimit të lëndës narkotike. Gjithsesi, ata kanë dhënë dëshmi mbi tjetërsimin e pronësisë së mjetit, të cilat duhen verifikuar.

Prokuroria për Krime të Rënda dyshon se këta persona, në bashkëpunim me të tjerë, janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikut të lëndëve narkotike”. /a.y/noa.al

Bllokimi i 1.3 ton drogë në Kavajë, “arrest me burg” për të dyshuarit

Bllokimi i 1.3 ton kanabis në Kavajë, Prokuroria jep detaje mbi pesë të arrestuarit

Peshohet kanabisi i sekuestruar në Kavajë, 1.3 ton. Kush janë të arrestuarit