Transmetuar më 17-07-2017, 16:29

Tre fëmijë të mitur, dy vajza dhe një djalë, janë deklaruar të zhdukur qysh prej së shtunës në komisariatin nr.1 të policisë në Tiranë.

Kanë qenë nënat e tyre, ato që kanë bërë denoncim në polici, me shpresë se uniformat blu do t’i ndihmojnë që t’i gjejnë.

Dyshohet se tre të miturit mund të jenë bashkë, për shkak se jetonin në zonën e banesave sociale në Shkozë dhe janë rreth së njëjtës moshë.

Gjatë ditës së djeshme, e diel, 39-vjeçarja M.A., banuese në Shkozë kallëzon se të shtunën, i është larguar nga banesa djali, F.A, 14 vjeç.

Po dje, 29- vjeçarja E.B., banuese në Shkozë, kallëzoi se më 15 korrik i është larguar nga banesa vajza e mitur, K.B., 13 vjeçe.

Edhe V.A., 40 vjeçe, banuese në Shkozë te banesat sociale, ka thënë në polici, se gjatë së shtunës i është larguar nga banesa vajza P.A., 13 vjeçe.

Pas denoncimit të tre nënave, policia ka nisur punën për gjetjen e tyre, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës. /a.y/noa.al