Transmetuar më 17-07-2017, 15:12

Kur vetëm gjashtë ditë ndajnë nga 22 korriku kur do të zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike, dy kandidatët në garë, kreu aktual Lulzim Basha dhe rivali i tij, Eduard Selami, janë ndalur në takim me demokratit e qarkut të Beratit.

Selami në takimet që pati në Berat, Kuçovë, Urë Vajgurore dhe Poliçan, u ndal në shqetësimin për përçarjen e PD.

Ai deklaroi, se pikërisht në këto momente vota për të më 22 korrik, është akti i parë i bashkimit të Partisë Demokratike dhe rikthimit i saj si forcë bashkëkohore.

“Nëse vërtet doni bashkim, më votoni mua dhe të bashkuar jeni. Kjo është një arsye më shumë. Unë shoh një shans real që së bashku të firmosim një kontratë, sepse ky model që ofroi është model bashkëkohor dhe i provuar. Nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka e se kam bërë”, tha Selami.

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, është shfaqur optimist nga mbështetja që ka marrë në bashkëbisedimet me demokratët, veçanërisht gjatë ditëve të fundit kur ata patën mundësinë ta njohin nga afër Selamin dhe vizionin e tij.

“Dorëheqja do të ishte një veprim që do t’i shërbente atij vetë por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurte”, tha Selami.

Ai deklaroi se Lulzim Basha, është lider i dështuar dhe që braktis premtimet.

Sipas tij, diferenca me e madhe është mes të thënës dhe të bërës.  

“Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë por kur e sheh në PD thua mjerë si ne. Nuk mund te qahesh, i njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, u shpreh ai.

Selami, kërkoi sërish publikimin e listave të anëtarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë se një praktikë e tillë ndiqet ne forcat politike bashkëkohore si në shtetet e bashkuara ashtu dhe në partinë CDU të Angela Merkel.​

Basha

Edhe kreu aktual, Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kuçovës dhe Policanit ku u ndal në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë sipas tij, ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetërore dhe shitblerja masive e votës.

Basha tha se beteja për vlerat ku aspirohet të shkohet duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

Ai deklaroi në vijim, se me të në krye u luftua beteja për dekriminalizimin, kundër drogës, për zgjedhje të lira e të ndershme, tre akuza që siç tha ai, 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot.

Ai iu drejtua Kryeministrit Edi Rama, duke thënë se e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç sipas tij, e vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri.

“Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet”, tha Basha.

​Ai deklaroi se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme.

Më tej shtoi se ndodhet për herë të dytë para qytetarëve në një garë statutore me një anëtar-një vote, për kryetarin e Partisë Demokratike.

Ai tha se në çadrën e lirisë iu fol qytetarëve për Republikën e Re, si një realitet i ri, një raport i ri midis pushtetit dhe qytetarit; i përkthyer në disa forma, në sistem të ri elektoral me deputetë të ardhur drejtpërdrejtë dhe pa filtra partiakë nga populli, si një balancë e re kushtetuese midis degëve të ndryshme të pushtetit; Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit, gjykatave.

“Iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.

Vetëm PD, ka moralin dhe vlerat për ta shpëtuar vendin, tha kryetari i vetëngrirë i PD, dhe ai është gati ta bëjë këtë betejë deri në fund.

“Vij t’ju kërkoj të vazhdoj këtë betejë me ju, për demokratët e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që janë gati të na bashkohen në një luftë, jo për kolltuqe dhe privilegje, por për ndryshim. Betejë, që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, siç na mëson historia e vendit tonë dhe historia e civilizimit tonë, e ky përfundim do të jetë fitorja e vlerave të cilat sot e kanë shtëpinë vetëm në një forcë politike dhe në zemrat e anëtarëve të vetëm të një shtëpie politike, që janë demokratët shqiptarë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë”, deklaroi Lulzim Basha. /a.y/noa.al