Transmetuar më 16-07-2017, 09:18

Deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka folur për herë të parë pas debateve të ditëve të fundit, pas një fotoje që ai ka publikuar me kryetarët e degëve të PD në mbështetje të liderit të vetëngrirë demokrat, Lulzim Basha. 

Në një intervistë për gazetën “Tema”, Murrizi pozicionohet hapur në krahë të Bashës dhe shpërthen me akuza ndaj grupimit të ri anti-Basha.

“Dreka ishte një drekë mes kolegësh, meqenëse dy kryetarë degësh ishin berë deputetë. Pa dyshim që në një drekë me 19 kryetarë të PD, përveç ndonjë dollie për sepebçinjtë, e gjithë koha tjetër muhabete politike kishte. Biseduam gjerë e gjatë edhe për zhvillimet në PD edhe për procesin e zgjedhjeve të datës 22 korrik. Por, për hir të së vërtetës shumë pak zgjati kjo temë, se të gjithë kolegët ishin unik në bindjen e tyre, se çfarë i duhet PD pas datës 22. Sa për lobim nuk ishte nevoja se ishin të gjithë në një mendje. Kishin pak merakun e këtij grupit që vjen vërdallë si po… nëpër brekë por thanë që nuk po i takojmë dot”,tha ai.

Sa për akuzat e ngritura në drejtim të anëtarëve të kryesisë që kanë firmosur një peticion për shkarkimin e Lulzim Bashës, Murrizi ka qenë i prerë, kur tha se: “Sot kemi me ligj një komision të “spiuneve” i cili është funksional dhe i ftoj publikisht të gjithë të “lënduarit” t’i drejtohen këtij komisioni për mua më së pari dhe për veten e tyre, për të parë të shkuarën e gjithkujt. Sa për fjalorin e përdorur për disa bilbilushë që mendojnë se janë të gjithë si ata, ju kam kërkuar ndjesë miqve të mi të Facebook por jo lehëseve”.