Transmetuar më 16-07-2017, 07:58

Babai i këngëtarit Alban Skënderaj, shkrimtari i njohur Qerim Skënderaj, emocionon thellë me vargjet e thurura për të shoqen, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë.

Nëna e këngëtarit u nda nga jeta, pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh. Ajo jetonte në Itali, ku edhe po kurohej për sëmundjen, por nuk i’a doli pavarësisht mjekimeve të marra.

I shoqi duket se e ka tepër të vështirë pranimin e humbjes së saj, ndërsa shpreh me vargje jetën e tyre dhe brengën e mungesës së të shoqes.

SI KE FJETUR?!...

E dhëmbshura ime, mirmëngjes.

Si ke fjetur, aty poshtë, pa mua?

Erdha prap sot, të përshëndes,

Dhe sërish të them se sa të dua.

 

Unë, këtu lartë, s’fjeta fare,

Preka, bashkë me ty, çdo kujtim.

Shpirtin ma pushtoi një brengë e madhe,

Lodhja jote…, vidë pambarim…

 

Tani shlodhu, e lodhura ime.

Prej këtej, ike punëmbaruar.

Bijtë e tu, vepra më sublime,

S’e harrojnë klloçkën e munduar.

 

Ja dhe pakë, e do të kenë rrethuar,

Duart plotë me lule gjithë shkëlqim.

Shpirti yt, me mall i ka bekuar,

Ndaj me lotë e shprehin dashurinë.

 

Po ti fli, prehu pa merak,

Lulet s’do t’i ndajmë asnjë ditë.

Tani sapo shtova një zambak,

Të rri hijshëm, si një luledritë...

 

Kur të zgjohesh, na vështro nga lartë,

Jemi të bashkuar si përherë,

Prandaj mbrona me krahët e artë,

Syri i lig, nuk derdh lotë, por vrer.