Transmetuar më 15-07-2017, 18:29

Arrestohet autori i plagosjes së tre personave në qendër të qytetit të Shkodrës. Mësohet se ai është Aurel Ahi, 25 vjeç, banues në Guerile të Shkodrës.

Ai u arrestua në Mal të Zi, vend në të cilin tentoi t’i fshihej policisë për krimin që kishte bërë.

Ky person, rreth orës 14:00 të ditës së sotme, plagosi me armë zjarri tre persona në një zonë të populluar të Shkodrës. Ngjarja u shënua në sheshin “Demokracia”, ku nga një autoveturë tip “Dawoo” me ngjyrë jeshile, me targa AA 440 NC,  ky shtetas qëlloi plot 8 herë në drejtim të Dioni Lisit 32 vjeç, ndërsa plumbat lanë të plagosur edhe 2 shtetas kalimtarë të rastit, 25 vjeçarja L. T si dhe 59 vjeçari Enrik Prenushi.

Të plagosurit, me ndihmën edhe të kalimtarëve, u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës.

30 minuta pas ngjarjes policia arriti të gjejë armën tip pistoletë tip TT në një prej kontinierëve të mbeturinave në piken turistike të Shirokës.

Më pas, grupet e ndërhyrjes së shpejtë janë vënë në ndjekje të autoveturës dhe e kanë gjetur në zonën kufitare të Zogajve, për të kulmuar më pas me arrestimin e tij në Malin e Zi. Pritet marrja në pyetje e autorit, për të zbuluar shkaqet e ngjarjes që tronditi Shkodrën. /k.k/noa.al/