Transmetuar më 15-07-2017, 18:16
Publicitet

Kur na ndajnë edhe një javë nga zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, Astrit Patozi vijon takimet me demokratët në mbarë vendin.

Në emisionin “Kjo Javë”, Patozi thotë se përjashtimi i tij nga gara për kreun e partisë, është turp i radhës i PD-së.

Duke u ndalur tek takimet e tij me demokratët në Vlorë e Durrës, thotë se është njohur me shqetësimet e tyre për situatën në PD. 

Sapo ktheheni nga një takim, ku prej ditësh keni ndërmarrë në Durrës, Vlorë. Çfarë mesazhesh keni marrë në këto takime që po zhvilloni me demokratët, kur për hir të së vërtetës duhet thënë se ka patur një pjesëmarrje të konsiderueshme? 

“Ajo që kam konstatuar me shumë kënaqësi është fakti që PD është e gjallë dhe instinktet e saj janë funksionale, pasi kjo që po ndodh është dramatike. Është e kundërta e asaj që duhet të ndodhte pas një humbje katastrofike që ne pësuam në këto zgjedhje. Te demokratët e Durrësit dhe Vlorës kam parë një reagim të jashtëzakonshëm për ta mbajtur të bashkuar PD-në dhe për ta ringritur shumë shpejt atë. Unë besoj se ky mision ia ka vlejtur për dy qëllime. Së pari që demokratët që janë lënduar nga ajo që na ka ndodhur në këto 4 vite, po sidomos humbja dërrmuese që ne morëm në zgjedhjet e 25 qershorit, nuk janë të izoluar. Njerëzit kanë parë se janë shumë që mendojnë si ata. Ne kemi pasur shumëfishin e pjesëmarrjes në turin që po organizon Basha për garën në PD, ndërkohë që ne jemi jashtë kësaj gare. Ky është një reaksion i cili ndodh në mënyrë kapilare në PD. Demokratët janë të shqetësuar dhe po reagojnë. Po kështu ka edhe një mesazh tjetër për opinionin publik, për Shqipërinë, shqiptarët që nuk janë anëtarë të PD, por që në PD shohin një pjesë të tyre, pasi opozita është një pasuri kombëtare. Shqiptarët e shqetësuar për fatin e PD, nuk pajtohen me atë që po ndodh, se do të ishte fundi i botës në rast se ky aset kombëtar do të pajtohej me një rrëmbim në mes të ditës së mandatit të kryetarit, me një nënshtrim të partisë që solli në vend lirinë dhe demokracinë”. 

Nuk është i vonuar ky organizim? Do të shërbente po të fillonte pak më parë? 

"Ne nuk na u la kohë më shumë se kaq, sepse Basha e kishte emergjencë për ta mbyllur shumë shpejt garën. Ky ishte një nga instrumentet që ai përdori, psesë atij nuk i pret puna. Ai e di se çdo ditë që kalon e rëndon më shumë pozitën e tij, pasi edhe kaq sa është ai e di që është në pozitë shumë të rënduar. Në fillim u përpoqëm të ishim pjesë e garës, dhe kërkuam që PD të kishte një proces normal reflektimi për atë që na ndodhi. Pra të kishte një garë reale, të drejtë dhe të barabartë, dhe ne ishim gati që të bëheshim pjesë e kësaj gare. Nuk u lejuam në mënyrë arbitrare dhe është turpi i PD, ai vendim që u mor për përjashtimin e një kandidati potencial, i kishte një alternativë reale përballë Bashës", tha z. Patozi, një prej zërave më kritikë ne PD.