Transmetuar më 14-07-2017, 22:19

Dita e nesërme e shtunë, përkon me datën 15, kur një pjesë e mirë e njerëzve nisin pushimet. Nëse edhe ju keni planifikuar që të niseni për në plazh, duhet të lexoni një njoftim të rëndësishëm të policisë veçanërisht ata që kanë si synim Gjirin e Lalzit.

Policia Rrugore njofton se për ditën e nesërme nisur nga vrojtimet e dy javëve të fundit, ngarkesa në aksin rrugor Tiranë- Gjiri i Lalzit do të jetë e mbingarkuar për shkak të fluksit të mjeteve të pushuesve nga Tirana dhe qytetet e tjera që synojnë këtë zonë plazhi.

Janë të lutur drejtuesit e automjeteve të cilët kanë destinacion të ndryshëm nga Gjiri i Lalzit për të mos u bllokuar dhe për të lehtësuar sadopak trafikun të zgjedhin aksin Tiranë- Ndroq- Plepa- Durrës ose në alternative edhe aksin Tiranë – Tuneli i Kërrabës – Elbasan – Rrogozhinë.

Policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve të shmangin tejkalimet e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e alkoolit dhe gjithashtu në çdo rast të përdorin rripat e sigurimit dhe për motoçiklistët kaskat mbrojtëse.