Transmetuar më 14-07-2017, 22:09

Zëvendëskryeministrja teknike, Ledina Mandija e propozuar nga demokratët pas marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës më 18 maj, tregon se pse qëndrojnë ende në qeveri ministrat teknikë.

Ajo thotë se marrëveshja politike nuk përcakton mënyrën e funksionimit të ministrave teknikë

“Kushtetuta e shpreh qartë se si kryhet emërimi dhe shkarkimi i ministrave. Prandaj do t’i qëndrojmë korrekt Kushtetutës. Përfundimi i detyrës së ministrave teknikë është çështje ditësh, pasi të përmbyllim rezultatin e monitorimit”, tha ajo.

Lidhur me Task-Forcën për monitorimin e zgjedhjeve te 25 qershorit, deklaroi se pjesë e saj kanë qenë ministritë që kanë patur lidhje me procesin zgjedhor dhe se nuk ka qenë qëllim spastrimi i LSI.

“Ne ishim aty për të krijuar kushte të drejta dhe të barabarta për të gjitha forcat politike”, tha Mandija në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit.

Lidhur me pezullimin e lejeve të zakonshme të punonjësve të administratës publike gjatë fushatës tha se, “Kishim informacione qe 1/3 e administratës publike do te përfshihej në fushatë elektorale. Procesi i monitorimit ishte i vështirë për t’u realizuar. Administrata jonë është e politizuar, ka nepotizëm dhe paaftësi. Jam dakord që duhet të reformohet.”

Lidhur me raportet me Kryeministrin Edi Rama gjatë detyrës së saj tha se ka bashkëpunuar me sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë, ndërsa Kryeministrin nuk e ka takuar asnjëherë. /a.y/noa.al