Transmetuar më 14-07-2017, 21:25

Deputeti demokrat Astrit Patozi, i cili në 25 qershor nuk u rikandidua nga Lulzim Basha për deputet, thotë se humbja e zgjedhjeve ishte më e rënda në historinë e Partisë Demokratike.

Në vijim të turit të tij për të bojkotuar zgjedhjet për kryetarin e PD, ai u ndal mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, nga ku deklaroi se Basha në fushatë premtoi se do të fitonte.

“Humbi. Tani nuk mban asnjë përgjegjësi, por vjen sërish dhe thotë ne humbëm, po nuk ka problem. A thua se është humbje e ‘Flamurtarit’ dhe do fitojmë javën tjetër. Janë katër vite për demokratët që do të sakrifikojnë” , u shpreh Patozi.

Më tej lidhur me zërat për shitje të zgjedhjeve nga kryedemokrati, ai tha se “Unë nuk e them dot. Jo se po e kursej, por se nuk kam prova. Në rast se nuk na shiti ia vodhën për shkak të paaftësisë”.

Patozi i cili prej disa ditësh mban takime në kuadër të nismës “Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar”, kërkoi që të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve të 22 korrikut kur do të zgjidhet kryetari i ri i PD.

Ai shtoi më tej se nuk është kundërshtar i Lulzim Bashës, por i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

“Ne këtë punë duam që ta bëjmë edhe me Lulzim Bashën, por duhet që këtë ta vendosin demokratët dhe duket që të ketë garë. Unë ftoj çdo anëtarë të PD-së, por duke filluar që nga themeluesi i PD-së Sali Berisha, e deri tek anëtari më i ri duhet të ngrihen ti dalin

zot dhe të marrin fatin e PD. Nuk duhet ta lejomë që 22 korriku të jetë një dite e zakonshme. Unë nuk dua t’i përplas demokratë sikundër donte t’i përplaste qytetarët në Kavajë, Lulzim Basha për të shpëtuar lëkurën e tij”, deklaroi ai.

Më tej shtoi se nuk duhet lejuar më 22 korrik rimandatimi i Lulzim Basha pa garë, duke thënë se në të kundërt do të jetë përgjegjësi e të gjithëve, ndërsa gjithë procesin e cilësoi si farsë. /a.y/noa.al