Transmetuar më 14-07-2017, 20:00
Publicitet

Kur edhe një javë ndan nga dita e zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike, 22 korriku, rivali i Lulzim Bashës, Eduard Selami ka një mesazh për demokratët.

Ai thotë se gara për kryetarin e partisë ka hyrë në fazën e saj finale dhe më të rëndësishme të saj, ku mbetet vetëm një javë për të vendosur jo thjesht se kush do drejtojë partinë, por se si do jetë e ardhmja e përbashkët.

Selami shton se do të vendoset, nëse demokratët do të jenë të fuqishëm, alternativë dhe histori suksesi për Shqipërinë dhe shqiptarët apo do të ngelen pas në kohë duke rrezikuar edhe ekzistencën.

Ai shpreh bindjen se me kontributin e tij si kryetar, do e mund ta kthej PD në një vatër të vlerave demokratike ku të gjithë të jenë të përfshirë dhe asnjë të mos jetë i pavlerësuar.

“Demokratëve i duhen të gjithë. Sot janë dy modele qartazi të kundërta. Zoti Basha është vlerë në PD me eksperiencën e tij si kryetar por demokratët duan dhe meritojnë më shumë se ajo që mund të japë ai, e cila tashmë është e vjetëruar dhe e refuzuar.

Unë i bëj thirrje të gjithë demokratëve të cilët nuk shohin shpresë që të mos dorëzohen”, shkruan Selami në Facebook.

Ai shton më tej se shpresa fitohet duke u bazuar tek rregullat dhe ndershmëria, ndërsa nënvizon se e shoh te gabuar politikën e përçarjes.

Selami deklaron se duhet medoemos bashkim.

“Unë jam i bindur se rikthimi në binarët e statutit dhe vlerave do të sjellë shpresën e humbur tashmë. Çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi cilindo dëmton dhe përcan familjen tonë politike. Unë i ftoj të gjithë të japin kontributin e tyre në modernizimin e partisë”, shkruan më tej sfidanti i Bashës.

Selami thotë se, edhe ai si shumë personalitete të tjerë në PD që janë shprehur hapur në publik mendon se kjo garë është e pabarabartë, por nënvizon se është pjesë e saj, për të treguar se është e fitueshme nëse vërtetë e ke në zemër PD.

“Është e fitueshme bashkë me ndihmën tuaj. Mendoni mundësinë që do të keni për të përmirësuar atë që nuk shkon dhe për të korrigjuar atë që është bërë gabim, nëse ndihmoni për të ringritur Partinë Demokratike dhe jo të dorëzoheni ose të bojkotoni”, shton më tej Selami.

Ai bën me dije se ka propozuar nenin në statut që kryetari të mos ketë të drejtë të kandidojë nëse humbet zgjedhjet por, shprehet se sa më bashkëkohor do të bëhet statuti nëse të gjithë demokratët propozojnë nene dhe ndërtojnë atë që e quan “fortesa e një Shqipërie evropiane”.

Nëse bojkotoni, nuk do ta kemi këtë mundësi, thotë ai, duke deklaruar se ky është nje premtim dhe do të realizohet brenda muajit të pare si kryetar.

Selami u kërkon ndihmë të gjithë demokratëve, duke shtuar se dëshiron që t’i përfaqësojë të gjithë.

Po ashtu thotë se nëse demokratët mendojnë se Lulzim Basha nuk mund ta bëjë këtë, “unë po ju them që tashmë e keni një alternativë tjetër që mendon si ju dhe ju kërkoj ndihmë për ta realizuar bashkë”.

Selami vijon qëndrimin e tij, duke i ftuar të gjithë demokratët që të fillojnë së bashku edhe njëherë si në ditët më të mira një udhëtim të pandalshëm ku brezat që vijnë të thonë me krenari se këtu filloi një nga historitë më të suksesshme të shekullit 21, që quhet Shqipëri.

“Unë e shoh atë duke ardhur dhe së bashku do ta realizojmë. Faleminderit”, shkruan në mbyllje Eduard Selami. /a.y/noa.al