Transmetuar më 14-07-2017, 16:23

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija del me deklaratë, lidhur me monitorimin e zgjedhjeve të 25 qershorit, nëpërmjet Task- Forcës së drejtuar prej saj.

Ajo thotë se në përmbyllje të monitorimin të kryer nga e ana e Task- Forcës bazuar në VKM 473/2017, duke u bazuar në informacionet dhe raportimet e bëra nga të gjitha ministritë dhe institucionet që kanë ngritur grupet e monitorimit gjatë fushatës elektorale, është duke u bërë vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave.

Mandija thotë se përpunimi po bëhet për të vënë sa më shpejt në dispozicion të publikut, subjekteve politike të interesuar, autoriteteve vendase dhe organizmave ndërkombëtar, raportin përfundimtar në lidhje me rezultatet e këtij monitorimi.

“Sqarojmë opinionin publik se afati përfundimtar për dorëzimin e raporteve përfundimtare ishte data 10 korrik 2017, ndërkohë që ende sot disa nga Ministritë përcjellin materiale informuese”, thuhet në qëndrim.

Zyra e zëvendëskryeministres Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task- Forcës për zgjedhjet 2017, siguron opinionin e publik se do të zbatojë deri në fund detyrimin që rrjedh nga VKM 473/2017 dhe garanton hartimin e një raporti përfundimtar, serioz dhe cilësor, që do t’i shërbejë në të ardhmen forcave politike, për të realizuar një nga misionet më jetike të demokracisë së vendit, garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm. /a.y/noa.al