Transmetuar më 14-07-2017, 14:53

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, organizuan një tryezë diskutimi me studentë të vitit të katërt, të cilët prezantuan disa nga projektete tyre se si mund të zhvillohet kryeqyteti në vitet e ardhshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me punimet e studentëve në ekspozitën e hapur në ambientet e Piramidës, ndërsa premtoi se për projektet më të mira do të shihet mundësia që ato të realizohen.

“Do ta marrim shumë seriozisht çdo propozim konkret. Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi sepse besoj që kemi talente të jashtëzakonshëm në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi se pavarësisht debateve që mund të shkaktojnë projekte të ndryshme, sikurse ka ndodhur edhe në Tiranë, ato krijojnë një pikë referimi për zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

Veliaj deklaroi se aktualisht Tirana është në një moment fantastik të saj, ku çdo ditë punohet me ritme të shpejta për përmirësimin e infrastrukturës dhe ku një vëmendje i është kushtuar edhe marrjes së mendimit të profesionistëve të fushës për të gjetur zgjidhjet më të mira.

“Në këto dy vite si kryetar bashkie, kam kuptuar se ti mund të kesh idetë më të mira në botë, si për shembull ideja e Tiranës policentrike, për të cilën është folur që kur unëkam qenë fëmijë, por kërkon vendimmarrje. Sot besoj jemi në një moment fantastik për Tiranën, kemi vendimmarrje të shpejtë, por edhe një hapje të madhe ndaj atyre që janë ekspertë të fushës”, tha ai, ndërsa garantoi se Bashkia e Tiranës është e gatshme që të marrë vendime të guximshme, pavarësisht histerisë dhe gjithë debateve që gjithmonë shkaktojnë vendimmarrje të tilla, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë”, deklaroi kryebashkiaku.