Transmetuar më 14-07-2017, 14:02

Lulzim Basha në takimet me demokratët e Kukësit, Hasit e Tropjës, dhe të Njësisë 7 në Tiranë, e vuri theksin tek deformimi i vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, përmes shitblerjes së votës, me paratë e krimit dhe drogës, dhe keqpërdorimit të makinerisë shtetërore. Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme do të vazhdojë deri në fund, tha Basha, duke shtuar se vetëm PD e ka sot moralin për ti prirë kësaj kauze.

“25 qershori vërtetoi se lufta kundër krimit në politikë, lufta kundër drogës dhe beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ishin kauza të drejta dhe më të rëndësishme për Shqipërinë sot. Kush i luftoi këto kauza? Kush u përball me këto kauza? Vetëm Partia Demokratike, vetëm demokratët. Në ditët, muajt kur skeptikët nuk guxonin të pranonin apo të shqiptonin, problemin e thellë të krimit në politikë me autorizim dhe bekim të Edi Ramës, demokratët u ngritën, dhe ne u përballëm me drogën kur askush nuk guxonte të fliste për të.

Lulzim Basha foli për projektin dhe sfidat që presin përpara.

“Ju siguroj që do të vazhdoj t’ju shërbej me sakrificë totale, çdo sekondë të drejtimit tim, duke luftuar me ju dhe për ju, dhe për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, me të gjithë demokratët e bashkuar në një betejë e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër, përveç fitores së të drejtës, zgjedhje të lira e të ndershme e përmes tyre, fitores së projektit tonë”, tha Basha.