Transmetuar më 14-07-2017, 13:13

Historia e vajzës 18-vjeçare nga Gramshi, e cila humbi jetën në spitalin e Elbasanit pas një ndërhyrje kirurgjikale, është risjell sot në emision ‘Me zemër të hapur’.

Familjarët e Ketjona Ibrahimit, dy motrat dhe kunati i saj, me dhimbje të madhe kanë treguar kalvarin e vuajtjeve se si ndodhi ngjarja që i mori jetën adoleshentes. Ata akuzojnë mjeken kirurge për mjekim të pakujdesshëm, J. Maksutin, 43 vjeçe dhe kanë bërë edhe denoncim ndaj saj.

“Ketjona u ndie keq me dhimbje barku, dhe të vjella. Më pas e çuan në spitalin e Gramshit. Pasi i vunë serume, dhe ilaçe pa fund, nuk e qetësuan dot. Ajo vetëm bërtiste, kishte dhimbje të forta. Na thanë mjekët që niseni për në Elbasan. Nëna më njoftoi edhe mua dhe e çuam në Elbasan, dhe atje i bënë shumë serume. Dhe nuk kishin ide se çfarë kishte motra. Ajo bëri dy operacione. E hapën në vezore, dhe thanë se nuk kishte gjë. Më pas e bënë operacion nga tëmthi, ia hoqën. Por nuk gjetën gjë”, pohoi e pikëlluar motra e saj.

Sakaq, kunati i Ketjonës i bëri thirrje shtetit që të hetojë lidhur me këtë ngjarje, ndërsa pohoi se familja kërkon drejtësi. Mes të tjerash motra e 18-vjeçares shton edhe më tej se askush nga spitali i Elbasanit nuk jepte informacion kur ata kërkonin mjeken kirurge. Ajo pohon mes të tjerash se një mjek roje i kishte pohuar se doktoresha mund të ishte edhe në gjumë.

“Pyeta se ku është doktoresha, por më thanë se nuk mund ta zgjojmë nga gjumi, ajo mund të vij në orën 8-9 apo dhe 10”, tha ai.