Transmetuar më 14-07-2017, 12:03

Në vijim të turit të dëgjesa publike me qytetarët, Kryeministri Edi Rama u ndal në Polis të Librazhdit, ku u ndal sërish te “lista e zeze” që publikoi në Facebook.

Rama sqaroi edhe njëherë se gjithçka do të jetë e faktuar, dhe çdonjëri do të mbajë përgjegjësi.

“Lista është nga komentet e njerëzve, as për të nxjerrë të këqijtë, as për t’i dënuar, as për ndëshkime administrative, fare. Ajo është përmbledhje e emrave që janë përmendur nga njerëzit që kanë komentuar, aty janë njerëz realë, ka nga ata që fshihen pas profileve, por mekanizmi që do ndërtojmë nuk do jetë ky. Kush do ngrejë problem do jetë me identitetin e vet dhe me gjithçka të faktuar e që do të mbajë përgjegjësi për këtë”, tha Rama.

Sipas tij, ajo që e quan kazani mediatik, do ziejë si kurrë më parë e bashkë me këtë edhe kazani politik.

“O c’do bëjnë, kazani do thotë erdhi diktatura, u kthye Enver Hoxha, do i dëgjoni të gjitha, do jetë luftë, e këtë luftë jemi gati ta bëjmë se për këtë e morëm mandatin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për reformimin rrënjësor të administratës, në të gjitha institucionet.

“Nuk janë të paktë zyrtarët e shtetit që fshihen pas flamuri të PS-së për t’ju rënë njerëzve me shkopin e flamurin e partisë. Ashtu si ata që fshihen pas flamujve të partive të vogla. Janë në struktura gjakpirëse sepse me atë gjak shtohen dhe rriten. Ne do të bëjmë një reformë shumë të thellë në administratë. Duke nisur nga qeveria, do ta reformojmë thellësisht qeverinë dhe të gjitha institucionet. Do bëjmë shkurtime drastike të gjithë degëve të thata apo pjesëve parazite apo të infektuara të administratës shtetërore”, deklaroi Rama.  /k.k/noa.al/