Transmetuar më 14-07-2017, 10:52

Marrëveshja e 18 majit ndërmjet PS dhe PD solli një deformim të votave të 25 qershorit.

Në emisionin “Të paekspozuarit” në televizionin News 24, të gazetarit Ylli Rakipi, u transmetua dje një videoskandal ku votat e partisë së Ben Blushit vidheshin nga dy komisionerët e PS dhe PD duke dëshmuar marrëveshjen e arritur ndërmjet dy liderëve të partive respektive, Rama dhe Basha për të tjetërsuar votën e qytetarëve.

Në këtë videoskandal të transmetuar mbrëmë, dëshmohej se si rreth 40 vota të partisë LIBRA të Ben Blushit ndaheshin në mënyrë të barabar ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nga 20 secila duke deformuar në këtë mënyrë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 qershorit.

Mesa duket, marrëveshja e 18 majit ndërmjet Ramës dhe Bashës është shtrirë deri tek numëruesit e votave të cilët në mënyrë konsensuale dhe të barabartë ndajnë ndërmjet tyre votat e 25 qershorit pa marrë në konsideratë se si kanë votuar qytetarët shqiptarë.