Transmetuar më 14-07-2017, 08:41

Listat me emrat e 100 personave, që sipas Kryeministrit janë denoncuar nga qytetarët se kanë abuzuar me detyrën, janë kthyer në një arenë debati të politikës. LSI dhe PD kanë akuzuar Edi Ramën se po kthen në ditët e sotme listat e dikurshme të diktaturës komuniste.

Sot, në një postim në Facebook, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrti Vasili e quan Kryeministrin Don Kishot.

“Prapë me lista ky kryeministri, s'ka gjëkundi as ide e as fantazi, imagjinon sikur është Herkul, por është vetëm një Don Kishot”, shkruan Vasili.

Ndërkohë, kreu i qeverisë, një ditë më parë, gjatë një dëgjese publike me qytetarë të Durrësit tha se lista me emrat është një raport i komenteve të qytetarëve, dhe askujt nuk do t’i ndodhë asgjë pa pasur prova dhe fakte konkrete. /k.k/noa.al/