Transmetuar më 13-07-2017, 18:57

Studimet sugjerojnë se një mangësi e vitaminës D në shtatzëni ka efekte negative në zhvillimin shoqëror, aftësitë përthithëse në fëmijët e moshës parashkollore.

Hulumtuesit nga Universiteti i Surrey dhe Universiteti i Bristol në Britaninë e Madhe mblodhën të dhëna nga më shumë se 7000 çifte, duke gjetur se gratë shtatzëna të cilat kishin mungesë të theksuar të vitaminës D, linin pasoja tek fëmijët.

Mungesa e kësaj vitamine prekte fëmijët duke u reflektuar në rezultatet e ulëta në shkollë.

Studimi, i publikuar më 12 korrik në ‘Journal British Nutrition’, tregoi gjithashtu se mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë ndikon në zhvillimin social të fëmijës qysh në moshën 3 vjeçare.

“Rëndësia e vitaminës D nuk duhet të nënvlerësohet por kërkimet tona tregojnë se nëse nivelet janë të ulëta në nënat shtatzëna, kjo mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve të tyre në vitet e tyre të hershme të jetës”, tha Dr. Andrea Darling i Universitetit të Surrey, shkruan noa.al

Studiuesit pohojnë se ndërveprimet midis vitaminës D dhe dopaminës në tru të fetusit janë jetësore për zhvillimin neurologjik të zonave të trurit që kontrollojnë zhvillimin motorik dhe social.

Kujtojmë se vitamina D vjen nga dielli dhe dieta jonë ushqimore, duke përfshirë produktet e qumështit, peshqit me vaj, mishin e kuq, vezët etj.

“Shumë gra shtatzëna, veçanërisht ato nga grupet minoritare me lëkurë të errët p.sh. afrikane, nga Karaibet ose aziatiko-jugore, duhet të vazhdojnë të marrin një shtesë prej 10 mikrogramë vitaminë D çdo ditë, veçanërisht në vjeshtë dhe dimër kur vitamina D nuk mund të merret nga dielli në Britani të Madhe”, tha Darling. /d.m/a.y/noa.al