Transmetuar më 13-07-2017, 18:25

Kryeministri Edi Rama komenton atë që u cilësua si “lista e zezë” me 100 emra zyrtarësh të lartë, mes tyre gjyqtarë dhe prokurorë, të denoncuar nga qytetarët në profilin e tij në Facebook, si abuzivë me detyrën.

Në një dëgjesë me qytetarët pasditen e sotme nga Durrësi, ai tha se pas raportit mbi komentet e njerëzve për individë që përfaqësojnë shtetin në sektorë të ndryshëm dhe ku komentues të ndryshëm kanë shprehur pakënaqësi, pati shumë reagime.

“Nuk ka listë të zezë, është thjeshtë një raport komentesh, për ata që janë të interesuar ta lexojnë raportin e komenteve dhe që janë pjesë e miqve në Facebook. Kush e interpreton si instrument që do vëmë në lëvizje për të krijuar një klimë presioni dhe terrori, nuk ka kuptuar asgjë dhe nuk ka parë asgjë akoma. Ne nuk do të shfrytëzojmë asnjë pakënaqësi apo ankesë të pabazuar, për ti rënë në qafë askujt”, u shpreh Rama.

Më tej shtoi se gjithçka do të bëhet në mënyrë ligjore, demokratike dhe transparente dhe mekanizmi është duke u ndërtuar.

Sipas tij, nuk është çështje qytetari dixhital, por është çështje krejt tjetër e strukturuar deri në detaje.

Ai tha se kush është hedhur përpjetë duke pretenduar që ka vënë re një shkelje të madhe të të drejtave të  njeriut, thjesht nuk di çfarë thotë.

Rama sqaroi se ato janë komente të bëra nga njerëzit, por se thjesht janë përmbledhur në një raport dhe se mekanizmi që do përdoret do të jetë një mekanizëm shumë i strukturuar.

“Platforma e bashkëqeverisjes, ku çdo anëtar i koalicionit do ketë akses në qeverisje nëpërmjet lidhjes online, nuk do jetë thjeshtë një faqe ku njerëzit shfryjnë dhe ankohen, por do ketë pas një ushtri me persona që do bëjnë punën verifikuese dhe punën ligjore, për të çuar aty ku kanë vendin gjithë ata zyrtarë që sillen me hallet e njerëzve si harbut”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se kjo gjë do të ndodhë jo vetëm në rastet kur kërkohet ryshfet, raste që sipas tij do përballen me burg, por edhe ata që nuk thonë as mirëmëngjes dhe u përplasin derën në fytyrë njerëzve duke i trajtuar si lecka.

Kryeministri Edi Rama, publikoi pasditen e së mërkurës një listë me 100 emra zyrtarësh të shtetit, të cilët, janë etiketuar si të korruptuar dhe me akuza të tjera, nga njerëz të cilët komentojnë tek faqja e Ramës në Facebook. /a.y/noa.al