Transmetuar më 13-07-2017, 16:40

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi reagon ndaj rinumërimit të 64 kutive të votimit të Tiranës, prej të cilave varet fati i mandatit të tij si deputet.

Ai publikon fotografinë e një vote në Facebook, ku shkruan se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e quajti të pavlefshme këtë votë të hedhur për PDIU-në, kur vullneti i qytetarit që e ka hedhur sipas tij, duket më se i qartë.

“Shenja X ishte atje ku duhet dhe po ashtu ka pasur dhjetëra fletë ku ka pasur fjalë të shkruara sikurse është rasti i kësaj flete, që u konsideruan të vlefshme. Pak ditë pasi tjetërkush reagoi ndaj gurit me emrin Filat në sheshin Skënderbej, po shohim që emri i qytetit çam të Margëlliçit po shqetëson anëtarët e KQZ-së. Kujt i dhemb syri nga fjala Margëlliç të shkruajtur aty?!”, shkruan Idrizi.

Deri në tani janë numëruar 36 kuti votimi, prej të cilave PDIU ka marrë 8 vota më shumë se në 25 qershor.

PDIU ka nevojë për 37 vota, në mënyrë që Shpëtim Idrizi të marrë mandatin e deputetit. /a.y/noa.al