Transmetuar më 13-07-2017, 16:19
Publicitet

Në dy ditët e fundit, aksioni i Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime për monitorimin e situatës dhe disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm ka vijuar në zonat: Farkë, Zall Herr, Petrelë, Babrru, rruga “Dhimitër Kamarda”, rr. “Ali Demi”, rr. “Kont Urani”, rr. Elbasanit, rr. “Hoxha Tahsin”, Liqeni i Thatë, zona e “Qytetit Studenti”, zona e ish-Parkut të Autobusëve, si dhe në linjat e transmetimit DN 700 dhe DN 1000, ku u bë verifikimi i 1770 rasteve.

Gjatë kontrolleve, grupet e Task-Forcës të shpërndara në territorin e Tiranës, përfshi edhe zonat rurale, kanë identifikuar dhe shkëputur 198 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 24 gjoba për familjarë dhe për biznese të ndryshme.

Falë masave të marra në terren nga grupet e punës dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, është rritur dhe numri i personave të cilët i janë drejtuar sporteleve të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë për të lidhur kontrata të reja apo për të nënshkruar aktmarrëveshje për pagesat.

Vetëm dy ditët e fundit janë lidhur 203 kontrata të reja, si dhe janë nënshkruar 58 aktmarrëveshje për pagesat e ujit. Gjithashtu, specialistët e UKT kanë vijuar punën me vendosjen e matësve të rinj, duke instaluar 296 matësa uji.

Ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dhe të strukturave të tjera nën varësinë e Bashkisë së Tiranës janë në terren duke iu përgjigjur në çdo kohë qytetarëve në zonat më problematike të furnizimit me ujë të pijshëm me bote në këto ditë të nxehta dhe thatësire të zgjatur.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm apo që konstatojnë raste të lidhjeve të paligjshme, që të telefonojnë në numrat e vendosur në dispozicion, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë 08000888.

Loading...