Transmetuar më 13-07-2017, 11:59

Bashkia e Tiranës nisi sot punimet për rikualifikimin urban të bllokut të banimit në rrugën “Foto Janku”, si dhe të ndërtimit të këndit të 19 të lojërave, ku përveç rikualifikimit estetik të zonës, do të bëhet edhe gjelbërimi e ndërtimi i infrastrukturës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se rikualifikimi urban i kësaj zone është një premtim i mbajtur dhe se pavarësisht stinës së verës, bashkia është në punë.

“Këtu kemi filluar këndin e 19-të të lodrave, si një mënyrë që edhe kjo lagje pranë “Don Boskos”, e cila është tejet e populluar me familje të reja sidomos pas viteve ‘90, të ketë një hapësirë shumë pranë banesës ku fëmijët të kalojnë kohën e lirë”, tha Veliaj.

Pjesa qendrore e sheshit do të kthehet në një hapësirë kushtuar fëmijëve, ndërsa pjesët anësore në një hapësirë të dedikuar si parking rezidencial vetëm për banorët e zonës të cilët do të pajisen edhe me kartat e rezidentit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përfundojnë procesin e zgjedhjes së administratorëve në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës.

Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në lirimin e hapësirave publike të uzurpuara, ndërsa apeloi për një kujdes më të madh në mirëmbajtjen e investimeve.

Duke u ndalur specifikisht në investimet që prekin zonën e “Don Boskos”, kryebashkiaku Veliaj garantoi se në këtë arterie të re të kryeqytetit do të realizohen një sërë investimesh të rëndësishme që do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e këtij komuniteti.

“Do të vazhdojmë me investimet e tjera në të gjithë gjatësinë e rrugës “Don Bosko”. Është një arterie e cila filloi deri diku informale në vitet ‘90, sot është bërë një nga arteriet me më shumë zhvillim rezidencial në Tiranë. Kemi punuar me kolektorët e ujërave të zeza dhe të shiut, kemi punuar me rrjetin e ujësjellësit, po bëjmë disa investime në të dy anët e rrugës si në njësinë 9, si në njësinë 11 dhe bashkë me deputeten kemi identifikuar disa sheshe dhe disa hapësira të tjera si te pastiçeria dhe në disa zona të tjera për t’i rikthyer në sheshe në funksion të fëmijëve, të të moshuarve dhe pastaj të të gjithë komunitetit”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë, gjatë kësaj vere fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë dhe përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për vitin e ri shkollor.

“Do hapim disa çerdhe dhe kopshte të reja si dhe do të rehabilitojmë një pjesë të madhe të shkollave. Në fund të verës do të hapim edhe shkollat e reja, shkollën ‘Ardian Klosi’ tek Bregu i Lumit, shkollën ‘Hoxha Tahsin’ pranë Pazarit të Ri dhe shkollën ‘Betim Muço’ në Kombinat. Gjithashtu, do të hedhim themelet e shkollës “Kosova”, një nga lajmet e shumëpritura për të gjithë komunitetin e njësisë Nr. 2”, përfundoi Veliaj.