Transmetuar më 12-07-2017, 22:10

Futbollisti i famshëm holandez, Clarence Seedorf, katër herë fitues i Champions League, është trajneri më i ri i ekipit kombëtar të futbollit shqiptar.

Nga Federata Shqiptare e Futbollit, asgjë nuk u bë publike, por mediat greke kanë arritur të zbardhin se Seedorf ishte në Shqipëri orët e fundit dhe zhvilloi dy takime me Armando Dukën, presidenti i FSHF.

Takimi i parë është bërë te një lokal, pa praninë e asnjë klienti tjetër, pak pasi Seedorf mbërriti në Shqipëri përmes një udhëtimi me avion i cili nuk përfundoi në Rinas por në një aeroport fqinjë.

Më tej, Seedorf u takua me Dukën dhe me disa zyrtarë të FSHF-së edhe në një restorant në Durrës. Atje, pas më shumë se dy orësh, kanë mbyllur negociatat duke arritur në përfundimin se holandezi do të jetë në krye të kombëtares shqiptare për tre vitet e ardhshme.

Portali grek “sport24.gr” ka zbardhur takimin mes Seedorf dhe presidentit Duka si dhe bisedimet mes tyre, teksa citon holandezin të ketë thënë: “Unë jam i pasur, nuk do të filloj të flas për pagën, por për projektin dhe se çfarë mund të bëjmë së bashku. Në qoftë se ju doni të mbani stafin ekzistues,  më thoni. Unë jam në dispozicion dhe për të, por kjo është një çështje e mesme”, - është shprehur gjatë takimit holandezi i njohur. 

Seedorf pranon se nuk di asgjë për kombëtaren shqiptare madje nuk ka parë asnjë ndeshje të saj.

“Unë mund të them se e njeh vendin tuaj, por do të gënjeja të thosha se e njoh ekipin tuaj. Nuk e kam parë kurrë, as në Euro 2016. Unë do të filloj që tani për të studiuar ndeshjet në YouTube, të shoh lojtarët  dhe moshën e tyre”, - është shprehur ish-trajneri i Milanit. /noa.al/